FC Prishtina ia përmend Vokrrit Graçanicën, ndihmat në Francë dhe rrogën prej 3 mijë eurosh

Sport May 15, 2018 - 15:59

Pas vendimit të Ministrisë së Sportit që stadiumi i Prishtinës të mos hapet për ndeshjen vendimtare për titull në mes FC Prishtinës dhe Dritës, ka reaguar klubi prishtinas. Bardhekaltrit e kanë akuzuar kreun e FFK-së, Fadil Vokrri, se ka punuar në dëm të FC Prishtinës.

Në reagimin e FC Prishtinës thuhet:

Edhe një fitore e Vokrrit kundër Prishtinës

Krejt kjo është bërë vetëm për ta prerë shiritin

Prishtinë, 15 maj 2018 – Edhe një fitore e Fadil Vokrrit kundër Prishtinës. Nuk mbizotëroi arsyeja edhe pse të gjithë përgjegjësit ishin për t’u zhvilluar ndeshja në stadiumin e qytetit - ishte Vokrri që me presion të paparë e të padëgjuar duke mos fjetur tërë natën e mbase duke qëndruar edhe te “Bata” në Graçanicë, nuk la birë pa thirr e duke arritur qëllimin duke e penguar të zhvillohet ndeshja në stadiumin tonë.

Dikur jetonte me ndihma në Francë e pastaj drejtori i klubit me 3.000 euro rrogë, sot fuqishëm e paturpësisht e luftoi klubin që e kaliti, klubin që e ktheu në vendlindje duke e amnistuar nga ngjarjet që opinioni kurrë nuk do t’ia harrojë gjatë viteve 90-ta. Ai sot manipuloi me tërë institucionet, por jo edhe me opinionin publik, jo me adhuruesit tanë e jo me banorët e qytetit.

Prishtina është më e madhe se çdo individ.