Federata e kundërshton ndeshjen Prishtina - Drita në kryeqytet, prodhohen tensione

Sport May 15, 2018 - 12:37
Detajet

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e ka penguar FC Prishtinën që ndeshjen vendimtare për titull të kampionit kundër Dritës ta organizojë në stadiumin e kryeqytetit.

Kështu kanë thënë drejtuesit e klubit prishtinas pas një takimi që e kanë zhvilluar sot në këtë objekt sportiv me zyrtarë të FFK-së, Ministrisë së Sportit, Komunës së Prishtinës dhe të kompanisë që po e rinovon stadiumin. Takimi ka qenë mjaft i tensionuar. Kjo për shkak të këmbëngulësisë së zyrtarëve të FFK-së për ta pamundësuar zhvillimin e ndeshjes së madhe në këtë stadium, raporton "Zëri".

“Takimi ishte mjaft i tensionuar për shkak se përpos FC Prishtinës edhe Komuna, Ministria dhe punëkryesi ishin për zhvillimin e lojës në stadiumin e Prishtinës. Kurse, përfaqësuesi i FFK-së vazhdimisht ishte kundër dhe vazhdimisht potenconte se kush e merr përgjegjësinë. Kështu që përfundimisht fajtori kryesor i pengimit të zhvillimit të ndeshjes në Prishtinë është FFK-ja, e cila ka bërë presion jashtëzakonisht të madh për ta pamundësuar zhvillimin e kësaj ndeshje në stadiumin e Prishtinës”, ka deklaruar pas takimit presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi.

Kurse, kryetari i “Plisave”, Alebrt Kastrati tha: “Duam që ndeshje të zhvillohet në stadiumin tonë i cili i plotëson të gjitha kushtet për zhvillimin e ndeshjes”. /Zëri/