'Plisat': Federata kundër Prishtinës

Sport May 14, 2018 - 13:55
Detajet

Kryetari i “Plisave”, Albert Kastrati, i njohur si “Tigri”, ka thënë se FFK-ja është duke i bërë presion Ministrisë së Sportit që ta refuzojë kërkesën e FC Prishtinës, “Plisave” dhe Komunës së Prishtinës për t’u luajtur ndeshja me Dritën në kryeqytet.

“FFK-ja po thotë se stadiumi i Prishtinës nuk ka kushte për lojë. Kjo nuk është aspak vërtetë. Asnjë stadium në Kosovë nuk ka kushte më të mira për lojë sesa stadiumi i Prishtinës. FFK-ja po thotë se nuk ka rrymë e ujë dhe kjo nuk është e vërtetë sepse ato i ka bërë klubi”, ka deklaruar Kastrati për “Zërin”.

LEXO EDHE: Federata e Futbollit zhgënjen Shpend Ahmetin dhe gjithë Prishtinën

Madje, ai ka theksuar se FFK-ja po rrezikon shumë duke e kundërshtuar zhvillimin e lojës në kryeqytet. “Stadiumi i Pejës nuk ofron kushte minimale, sidomos për siguri. I ka vetëm dy tribuna, pa rrethoja pa asgjë, kurse interesimi për këtë ndeshje është tejet i madh. Ne ende shpresojmë që ndeshja do të zhvillohet në Prishtinë. Nëse ndeshja zhvillohet diku tjetër, federata ndoshta mendon se do të dëmtohet Prishtina duke e detyruar të luaj jashtë Prishtinës. Por më së shumti do të dëmtohet vet federata. Këtë po ua bëjmë me dije me kohë sepse po më duket se ata nuk kanë menduar mirë”, është shprehur “Tigri”.

“Nëse FFK-ja ka problem me ndonjë anëtar të kryesisë së klubit nuk ka nevojë t’i hakmerret Prishtinës. Po shihet ashiqare që federata po vepron kundër Prishtinës dhe kjo nuk do t’i del mirë. Nëse federata mendon se ka problem me Prishtinën atëherë nuk ka vend në Prishtinë”, shtoi ai.