“Xhevahiri” i Chelseat

Sport May 12, 2018 - 12:13
Detajet

Callum Hudson-Odoi është vetëm 17-vjeçar dhe tashmë ka debutuar me ekipin e parë të Chelseat. Adoleshenti ka qenë pjesë kyçe e sukseseve të ekipeve zinxhirë të klubit londinez. Madje ai e ndihmoi edhe përfaqësuesen U-17 të Anglisë për të triumfuar në Kupën e Botës në tetorin e vitit të kaluar. Hudson-Odoi shihet si një talent me të ardhme të ndritur dhe interesim për të kanë shfaqur edhe Real Madridi dhe Barcelona

Që prej ardhjes së Roman Abramovichit te Chelsea londinezët kanë shpenzuar miliona për të gjetur talentet më të mirë anembanë botës. Klubi ka një rrjet të skautëve në çdo kontinent, duke siguruar yjet e ardhshme në akademinë e tyre. Por, pavarësisht gjithë atyre parave, duke shpenzuar prej Kejptaunit deri në Rio De Zhaneiro, e ardhmja e Chelseat mund të jetë gjetur pikërisht para pragut të tyre, gjithmonë nëse arrijnë ta mbajnë atë.

Callum Hudson-Odoi, një sulmues 17-vjeçar, pjesë e akademisë së Chelseat, ishte lindur vetëm pak kilometra larg klubit, saktësisht më pak se nëntë kilometra larg “Stamford Bridge”, në Wandsworth.

Hudson-Odoi, i cili iu bashkua akademisë së Chelseat në nivelin U-9, tashmë është krahasuar me Eden Hazardin, i cili është idhulli i tij. Por fatkeqësisht për Chelsean, ai tashmë ka filluar të ndiqet nga klubet e mëdha evropiane. Real Madridi, Barcelona dhe Juventusi janë vënë pas sulmuesit, i cili luan në krah të sulmit, në rolin e numrit 10.

Antonio Conte ia mundësoi atij debutimin me ekipin e parë më herët gjatë këtij edicioni, ndërsa sulmuesi është paraqitur katër herë deri më tani. Pavarësisht interesimit nga Evropa, Hudson-Odoi nënshkroi kontratë profesionale me “të kaltrit” në verën e kaluar. Ai ende ka edhe dy vjet të mbetura në kontratë, por Chelsea mund t’i duhet t’ia rrisë rrogën ose t’i premtojë atij më shumë ndeshje, nëse nuk duan që ai të largohet.

Hudson-Odoi ka gjithçka që ju kërkoni për një sulmues modern. Ai ka një kërcim të gjatë, ka një balancë të pabesueshme dhe është shumë i fuqishëm, është e vështirë që t’ia rrëmbesh topin dhe mbrojtësit e kanë të vështirë ta mbajnë atë. Shpejtësia dhe shkathtësia e bëjnë atë të rrezikshëm në kundërsulme. Sikur Hazardi, ai e përdor këmbën e djathtë që luan në të majtë të sulmit. Hudson-Odoi gjithashtu ka aftësi të mira driblimi, që e lejojnë atë të hyjë thellë edhe kur ka hapësira të ngushta. Por, e vetmja gjë që e ndan atë nga futbollistët e tjerë të ngjashëm dhe që do ta kthente në një yll është instinkti vrasës. Ka pasur shumë sulmues me aftësi dribluese dhe të shpejtë përgjatë viteve dhe e vetmja që u ka munguar ka qenë pjesa e fundit, finalizimi.

Mendoni për Aaron Lennon, Shaun Wright-Phillips apo Jermaine Pennant, që të tre driblues brilantë që i krijonin vështirësi kundërshtarit, por që vuanin për të shënuan, sepse merrnin vendimin e gabuar në fund.

Hudson-Odoi nuk i ndan këto mangësi me të lartcekurit. Adoleshenti është i ftohtë akull para golit dhe ka në sy të mirë për pasime. Këtë e thonë edhe shifrat. Në FA Cup të të rinjve, që Chelsea e ka fituar për edicionin e pestë radhazi në fund të prillit, Hudson-Odoi kishte realizuar 10 gola dhe 7 asistime në vetëm 7 ndeshje. Në Premierligën 2 (U-21/ekipet e rezervave) Hudson Odoi ka realizuar 6 gola në 10 ndeshje kundër lojtarëve më të moshuar dhe fizikisht më të fortë se ai. Në janar ai ishte zgjedhur “Lojtari i Muajit” në këtë garë, pas një forme të jashtëzakonshme.

Sulmuesi tashmë ka filluar të mbetet pa hapësirë në sirtarin e trofeve. Ai ka fituar dy medalje të FA Cup për të rinjtë, dy premierliga U-18 dhe një kupë U-18 të Premierligës. I vetmi dështim për Hudson-Odoin këtë edicion ka qenë në Ligën e të Rinjve të Evropës, Liga e Kampionëve për të rinj, ku Chelsea u mposht nga Akademia e Barcelonës në finale. Ai ka fituar edhe në arenën ndërkombëtare. Hudson-Odio është njëri prej yjeve të përfaqësueses U-17 të Anglisë. Në majin e kaluar ata arritën deri në finale të Kampionatit Evropian U-18, ku u mposhtën nga Spanja me penalti. Por, arritën të triumfonin në Kupën e Botës U-17 në tetorin  kaluar. Përsëri u takuan me Spanjën, por kësaj radhe fituan 5:2. Hudson-Odoi tregoi edhe një herë se është njeriu për skenën e madhe, që është një indikator i rëndësishëm për t’i arritur majat.

Fakt:

Callum Hudson-Odoi është vetëm 17-vjeçar dhe tashmë ka debutuar me ekipin e parë të Chelseat