Licencohen për në Evropë

Sport May 12, 2018 - 09:57
Licencimi i skuadrave të Superligës

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) i ka zbuluar të premten emrat e klubeve kosovare që i kanë plotësuar të gjitha kriteret për licencim në garat evropiane. Shtëpia e futbollit kosovar e bëri një gjë të tillë përmes konferencës për shtyp, të mbajtur në zyrat e saj.

Nga 12 skuadrat elitare, për licencim kanë aplikuar 10 prej tyre, duke i përjashtuar kështu Vllazninë dhe Besën, që nuk e kanë marrë mundin ta bëjnë një gjë të tillë.

Mirëpo, jashtë licencimit nuk mbeten vetëm ato. Në fakt, kërkesat për licencim u janë refuzuar edhe klubeve si Drenica, Feronikeli, Flamurtari e Vëllaznimi, që i bie se gjysma e skuadrave të Superligës, respektivisht gjashtë sosh, kanë mbetur pa u licencuar.

Kjo nënkupton që pjesa tjetër e ekipeve janë licencuar. Po flasim për Dritën, Prishtinën, Lirinë, Trepçën ’89, Llapin dhe Gjilanin.

Katër të fundit e kërkuan licencimin dhe i plotësuan kriteret për çdo rast, ndërsa Dritës dhe Prishtinës duket se do t’i shërbejë më së shumti ky licencim.

Në fakt, të dyja skuadrat bardhekaltër e kanë të sigurt pjesëmarrjen në Europa League përmes pozitës së dytë, pasi Vëllaznimi, edhe nëse e fiton Kupën, nuk do të mundë të luajë në Evropë për shkak të mungesës së licencës. E Prishtina mund të shkojë në Europa League edhe nëse e fiton Kupën, por edhe nëse përfundon e dyta në tabelë.

Ndërsa edhe në Ligën e Kampionëve ende i kanë të gjitha mundësitë të dyja skuadrat. Cilado që shpallet kampione, Drita apo Prishtina, do ta presë biletën për Champions. Duket se gjithçka do të përcaktohet në përballjen në mes tyre, e cila do të zhvillohet fundjavën e ardhshme. Momentalisht Drita ka tri pikë më shumë se Prishtina, një xhiro pa përfunduar kampionati.

Vitin e kaluar në garat evropiane për herë të parë Kosovën e përfaqësuan Trepça ’89, që luajti në Ligën e Kampionëve dhe Prishtina, e cila mori pjesë në Europa League.

Licencimi i skuadrave të Superligës

Skuadrat e licencuara: Drita, Prishtina, Liria, Trepça ’89, Llapi e Gjilani;

Skuadrat që nuk u licencuan: Drenica, Feronikeli, Flamurtari e Vëllaznimi;

Skuadrat që nuk aplikuan për licencim: Vllaznia e Besa.