Drita e Prishtina, veç fitore!

Sport May 11, 2018 - 10:38

E premtja vjen me tri ndeshjet e para të xhiros së 32-të të Superligës së Kosovës në futboll, shkruan sot gazeta Zëri.

Pa dyshim, vëmendja do të jetë në dy prej këtyre tri ndeshjeve pasi janë si një lloj parafinale të titullit të kampionit të Kosovës.

Dueli ndërmjet Dritës dhe Prishtinës duket se do të zgjatë deri në xhiron e fundit, kur edhe do të vendoset titulli i kampionit në duelin direkt në mes tyre.

Të shtunën luhen dy ndeshje të tjera, kurse të dielën mbyllet kjo xhiro me ndeshjen e fundit.

Drita e Prishtina, ndeshje për t’u fituar

Drita e Prishtina nuk kanë më vend për gabime.

Këto dy skuadra do t’i kenë përballjet përkatëse sot dhe atyre u kryejnë punë vetëm tri pikët. Sidomos prishtinasve, të cilëve secili rezultat përpos fitores mund t’i lërë pa titull kampioni.

Kryeqytetasit janë motivuar dhe janë mobilizuar në mase të madhe për dy ndeshjet e fundit të kampionatit, të cilat duan t’i fitojnë.

“Plisat” kanë premtuar se do të jenë të premten në mënyrë masovike në Prizren për t’i përkrahur Bardhekaltrit në duel me Lirinë, në ndeshjen që do të luhet në stadiumin “Përparim Thaçi”.

Nga ana tjetër, lideri Drita po ashtu ka nevojë për tri pikë në shtëpi ndaj kampionit aktual, Trepça ’89 për ta ruajtur distancën tripikëshe dhe për të shpresuar më pas në xhiron e fundit që ta nxjerrë së paku një barazim ndaj Prishtinës, për ta festuar titullin e kampionit, por edhe për pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

Dueli tjetër i së premtes nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë.

Llapi e pret Flamurtarin, i cili tashmë e ka siguruar pjesëmarrjen në barazh, përmes të cilit do të synojë ta sigurojë mbijetesën.

Të shtunën, gara për t’i ikur barazhit

E shtuna vjen me dy ndeshje tjera të rëndësishme. Feronikeli do të luajë me Vëllaznimin në Drenas.

“Nikli” me një fitore eventuale i shmanget përfundimisht barazhit, kurse gjakovarët duhet të nxjerrin rezultat pozitiv nëse duan të shpresojnë për t’iu shmangur barazhit.

Edhe Gjilani me një fitore eventuale ndaj Drenicës e siguron edhe matematikisht mbetjen në Superligë.

Nëse fitojnë Feronikeli dhe Gjilani, atëherë Vëllaznimi përfundon automatikisht në barazh, kurse dy skuadrat e lartpërmendura mbeten në ligë.

Të dielën luhet ndeshja e fundit e kësaj xhiroje, ku takohen dy ekipet që tashmë kanë rënë nga liga, Vllaznia e Besa.

Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar se ndeshjet do të zhvillohen brenda tri ditësh për shkak se tri skuadra luajnë në të njëjtin stadium si vendas: Drita, Gjilani e Vllaznia. /Zëri/

Superliga – Java e 32-të

E premte

Drita – Trepça’89

Liria – Prishtina

Llapi – Flamurtari

E shtunë

Gjilani – Drenica

Feronikeli – Vëllaznimi

E diel

Vllaznia – Besa

Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 16:00.