Mustafi i humb shpresat për Botëror

Sport May 10, 2018 - 19:48

Shkodran Mustafi nuk duket fort optimist rreth pjesëmarrjes së tij në Kampionatin Botëror të Futbollit, shkruan sot gazeta Zëri.

Futbollisti shqiptar ishte pjesë e suksesit të jashtëzakonshëm të gjermanëve në “Brazili 2014”, por këtë radhë ai e sheh më të vështirë përfshirjen në ekipin e Joachim Loewt.

“Nuk pres shumë”, ka thënë mbrojtësi 26 vjeç, pak ditë para se gjermanët ta bëjnë publike listën që do të marrë pjesë në Botëror.

Në fakt, më 15 maj trajneri Loew do ta publikojë listën e gjerë, ndërsa futbollisti shqiptar ishte inkuadruar në lojë vetëm në një nga tetë ndeshjet ndërkombëtare (35 minuta ndaj Azerbajxhanit).

Në ndeshjet e fundit kundër Spanjës dhe Brazilit, që ishin të karakterit miqësor, mbrojtësi i Arsenalit madje as që ishte ftuar nga Gjermania.

Sidoqoftë, ish-futbollisti i Evertonit, Sampdorias dhe Valencias thotë se trajneri Loew e ka siguruar se do të vazhdojë ta vëzhgojë.

Tash Mustafit i mbetet të presë dhe të shpresojë, ndërkohë që do të mundohet ta japë maksimumin për Arsenalin për ta fituar eventualisht besimin e trajnerit gjerman.

“Natyrisht, do më pëlqente të jem në Botëror”, ka shtuar futbollisti për “Sport Bild”.

“Ndërkohë, më duhet ta tregoj veten në ndeshjet e fundit me Arsenalin”, shton Mustafi.

Futbollisti shqiptar nga Maqedonia e kishte siguruar një vend në “Botërorin 2014” si rezultat i lëndimit të futbollistit të Borussia Dortmundit, Marco Reus.

Ai kishte zhvilluar tri ndeshje në Botërorin e Brazilit.

Mustafi ishte me fat edhe në “Evropianin 2016”, pasi e kishte shfrytëzuar lëndimin e mbrojtësit Mats Hummels.

Momentalisht, ky i fundit përsëri është i lënduar, njëjtë si futbollisti tjetër i Bayern Munichut, Jerome Boateng. Tash Mustafit i mbetet të shpresojë përsëri në ndonjë mrekulli.

Ai i ka zhvilluar 20 ndeshje ndërkombëtare dhe i ka realizuar dy gola për Gjermaninë.

E mendon rikthimin në Bundesligë

Shkodran Mustafi e pranon se rikthimi në Bundesligë është në mendjen e tij.

Ai e kishte nisur karrierën pikërisht në kampionatin gjerman.

“Në përgjithësi, Bundesliga tashmë është në mendjen time, sepse ajo është shtëpia ime. Isha afër transferimit në vitin 2014 atje. Mirëpo, negociatat shkuan shumë ngadalë”, nënvizoi Mustafi, i cili shton se Arsenali pa Wengerin do të jetë i zbehtë. /Zëri/