Transformimi i klubeve londineze

Sport May 10, 2018 - 16:40
Detajet

Një verë me plot ndryshime i pret tri klubet më të njohura londineze. Në Arsenal, Arsene Wenger do të largohet në fund të këtij edicioni dhe krerët e klubit duhet ta marrin vendimin e duhur për pasuesin e tij. Te Chelsea, Antonio Conte duket se do të largohet dhe gjithashtu “të kaltrit” mund të mos jenë pjesë e Ligës së Kampionëve në edicionin e ardhshëm. Tottenhami do të rikthehet në “White Hart Lane”, në një stadium të ri e të jashtëzakonshëm, por Mauricio Pochettino duhet t’i mbajë yjet e ekipit për të qenë në garë për tituj, shkruan sot gazeta "Zëri".

Arsenali, Chelsea dhe Tottenhami, tri klubet e kryeqytetit anglez i presin ndryshime të rëndësishme gjatë kësaj vere. “Dailymail” sjell një analizë se çfarë pritet të ndodhë me tri klubet londineze.

Arsenal

Pjesën e kuqe të Londrës Veriore e pret fundi i një epoke, sepse Arsene Wenger do të largohet nga klubi pas plot 22 vjetëve. Për shumë tifozë të rinj Wenger është gjithçka që ata kanë njohur, figura konstante në mesin e shumë futbollistëve që kanë ardhur dhe janë larguar, kështu që ndërrimi do të jetë rrënjësor. Por siç e kemi parë gjatë javëve të fundit, njoftimi i Wengerit ka ndarë në dysh mendimet për largimin e francezit, duke marrë parasysh rënien në nivel të skuadrës në edicionet e fundit. Vendi i gjashtë në Premierligë dhe eliminimi nga gjysmëfinalja e Ligës së Evropës nuk është fundi përrallor që e priste Wenger. Ai nuk do të largohet me ndonjë lavdi të madhe, si për shembull ish-homologu i tij Sir Alex Ferguson kur u largua nga Manchester Unitedi në vitin 2013. Krerët e Arsenalit duhet të mësojnë nga tranzicioni i “djajve të kuq” dhe nuk duhet të përsërisin atë që ndodhi me David Moyes tek Unitedi. Ka kandidatë mjaft atraktivë për punën e trajnerit, por kjo do të jetë hera e parë e zgjedhjes së tyre për këtë gjeneratë dhe duhet të peshojnë mirë avantazhet dhe disavantazhet. Massimiliano Allegri, Carlo Ancelotti dhe Luis Enrique mbesin si emrat më të përfolur për të marrë drejtimin e Arsenalit. Por, kemi dëgjuar edhe emra të tjerë si Mikel Arteta dhe numri dy i Jurgen Kloppit, Zeljko Buvac.

Chelsea

Gjatë 22 vjetëve të Wengerit te Arsenali Chelsea ka ndërruar 12 trajnerë dhe pritet të ketë ndërrim edhe këtë verë. Gjasat janë të mëdha që Antonio Conte të largohet pas dy sezoneve të kaluara në Londër dhe kërkimi për trajnerin e ri tashmë ka filluar prapa skenave. Pa dyshim pritet që të ketë një lloj lidhjeje mes kandidatëve që po ndjek Arsenali dhe Chelsea. Pas triumfit në Premierligë vitin e kaluar nuk ka shkuar edhe aq mirë për Conten në vitin e dytë. Italiani ka shprehur frustrimin e tij me transferimet e verës së kaluar dhe rezultat kanë qenë poshtë pritjeve. Londinezët rrezikojnë që të mbesin pa pjesëmarrje në Ligë të Kampionëve. Por, kjo mbetet të shihet deri në javën e fundit. Loja në Ligën e Evropës do të ishte një hap prapa për Chelsean. Roman Abramovich, një njeri që nuk ka përtuar që të ndërrojë trajnerë pavarësisht reputacionit të tyre, do ta ndjekë përsëri rrugën e tranzicionit. Ai duhet ta lëshojë dorën për të përforcuar përsëri skuadrën, duke mbështetur pasardhësin e Contes. Nëse nuk kualifikohen në Ligë të Kampionëve gjatë këtij viti këto investime duhet të jenë të sigurta në mënyrë që të luajnë për vetëm një vit në Ligën e Evropës.

Tottenham

Territoret e futbollit që e definojnë Londrën janë të përbëra nga stadiumet e mrekullueshme ku luajnë skuadrat e këtij qyteti. Këtë verë Tottenhami do të lëvizë në një stadium të ri, edhe pse nuk është se ata kanë ndërruar shtëpi. Me një kapacitet prej 62.062 spektatorësh, një përmirësim i të kaluarit që zinte vetëm 36.284 vende dhe më një përmirësim të madh në pajisje stadiumi i ri do ta transformojë klubin. Gjithashtu do t’i transformojë edhe pritjet. Trajneri Mauricio Pochettino ka thënë se dëshiron të fitojë trofe posa të arrijnë në shtëpinë e tyre të re dhe kjo është një përgjegjësi e tyre. Ata kanë pasur një drejtim të mirë gjatë edicioneve të fundit, duke marrë pjesë rregullisht në Ligë të Kampionëve dhe duke marrë rezultate të mira si fitorja kundër Real Madridit në fazën e grupeve. Gjëja më e rëndësishme tani është që ata të sigurojnë vendin e katërt, në mënyrë që të luajnë në Ligë të Kampionëve në stadiumin e ri. Liga e Evropës nuk do të kishte hijeshinë e njëjtë dhe të gjithë e dinë këtë. Këtë verë pritet që të ketë edhe oferta nga klubet e tjera për yjet e Tottenhamit. Pochettino do të kërkojë që t’i ruajë lojtarët në mënyrë që të arrijë diçka të madhe me klubin./Zëri