Suksesi ka një emër – Xhudo

Sport May 07, 2018 - 10:57

Nëse flasim për suksesin e sportit kosovar, atëherë mendja na shkon menjëherë te xhudoja, shkruan sot gazeta Zëri.

Ky sport luftarak ia ka zbardhur fytyrën sportit kosovar pasluftës, duke korrur suksese të njëpasnjëshme në arenën ndërkombëtare.

Së fundmi Nora Gjakova u shpall kampione e Evropës, duke e shtuar numrin e kupave dhe të medaljeve, të cilat duket se pejanët nuk po kanë se ku t’i lënë.

Trajneri Driton Kuka ndihet krenar me sukseset e garuesve të tij dhe pa dyshim se merita të mëdha ka edhe ai për punën profesionale që po e bën.

Trajneri pejan i ka përmendur sukseset e garuesve të tij, të cilët i konsideron si ambasadorë të sukseseve të Kosovës.

“Një javë pas titullit, drejt finales me fokus të plotë drejt medaljes së artë”, ka shkruar fillimisht Kuka, duke ia përcjellë këtij mesazhi një fotografi të kampiones së re evropiane, Nora Gjakova.

“Vetëm Majlinda e shijoi deri tash para Norës në historinë e sportit të Kosovës para e pas luftës medaljen e artë në sportet olimpike! Nora Gjakova ka arritur katër medalje në kampionatet evropiane deri tash, tri të bronzta e tashmë të artën”, ka shtuar ai.

“Kosova në sportet olimpike pas luftës ka fituar 9 medalje në kampionatet evropiane dhe atë: Majlinda tri të arta e një të bronztë; Nora tri të bronzta e një të artë; Distria një të argjendtë. Ambasadorët e sukseseve vijnë nga sporti. Krenar me ju”, ka vazhduar Kuka.

Ambasadorët, pa pasaporta diplomatike

Trajneri Driton Kuka e ka bërë edhe një postim tjetër gjatë fundjavës që shkoi duke e shprehur zhgënjimin e tij me Ministrinë e Punëve të Jashtme, e cila nuk po i pajis me pasaporta diplomatike garuesit e tij.

“Ambasadorët e shtetit tim por... Majlinda kryefjala e shtetit tonë në çdo instancë ndërkombëtare, Këshilli i Sigurimit me dhjetëra herë e ka potencuar si vlera më e madhe e shtetit tonë të ri! Nora Gjakova kampione evropiane me Distriën nënkampione evropiane e Akilin mbretin e ‘Grand Slamit’ të Parisit. Të gjithë këta janë ambasadorë të shtetit tonë! Kryetari i shtetit, si dhe kryeministri Haradinaj nënshkruan që të pajisen me pasaporta diplomatike e deri sot Ministria e Punëve të Jashtme asnjë indo. Populli i vlerëson si vlera e ambasadorë e jo pasaporta!”, ka thënë trajneri pejan. /Zëri/