Mbyllet El Clasico me plot gola

Sport May 06, 2018 - 22:39

Është mbyllur ndeshja El Clasico ndërmjet Barcelonës dhe Real Madridit, e cila u zhvillua sonte në Camp Nou, shkruan zeri.info.

Skuadrat kanë barazuar 2:2 në një ndeshje mjaft interesante dhe dramatike, ku nuk munguan golat, kartoni i kuq, lëndimet dhe zënkat.

Luis Suarez e ka kaluar Barçën në epërsi në minutën e 10-të, kurse Cristiano Ronaldo i barazoi shifrat në minutën e 15-të.

Sergi Roberto u ndëshkua me karton të kuq në fund të pjesës së parë pasi e sulmoi fizikisht Marcelon dhe e la Barcelonën me një lojtar më pak në pjesën e dytë.

Reali u paraqit pa Ronaldon në 45 minutëshin e dytë pasi ylli portugez ishte lënduar paraprakisht nga Gerard Pique.

Barcelona luajti mjaft mirë edhe pse ishte me një lojtar më pak në pjesën e dytë.

Lionel Messi e ka kaluar gjigantin katalunas në avantazh në minutën e 53-të pas një goli të bukur.

Kurse, Gareth Bale po ashtu shënoi gol të bukur në minutën e 73-të për ta barazuar rezultatin në 2:2.

Siç dihet, Barça e ka siguruar më herët titullin e kampionit në Spanjë, kurse Reali do të luajë në finale të Ligës së Kampionëve me Liverpoolin. /Zëri/