Këto janë pesë ndeshjet e Superligës që luhen sot!

Sport May 06, 2018 - 14:12

Superliga e Kosovës në futboll rikthehet këtë fundjavë me ndeshjet e xhiros së 31-të, e cila mund të jetë edhe vendimtare për titull të kampionit, barazh dhe mbijetesë, shkruan gazeta Zëri.

Dy skuadrat që po prijnë në tabelë synojnë fitore në duelet përkatëse, derisa vend për gabime nuk ka as për skuadrat që do të mundohen t’i ikin barazhit dhe ato që duan ta shmangin rënien nga liga.

Pra, kjo javë pritet të jetë mjaft e “nxehtë”, ndërsa pas saj kanë mbetur edhe dy xhiro të tjera deri në fund të kampionatit.

Drita dëshiron t’i mbajë në shtëpi pikët e plota

Lideri i Superligës Drita synon t’i mbajë në shtëpi tri pikë të plota për ta ruajtur distancën trepikëshe karshi përcjellësit kryesor, Prishtina.

Pas barazimit në derbin e qytetit me Gjilanin, skuadra e Bekim Isufit do ta presë Lirinë në shtëpi në kërkim të pikëve të radhës.

Çdo rezultat tjetër përpos fitores do të konsiderohej dështim për ekipin gjilanas.

Gjilanasit po akuzohen javëve të fundit se po u ndihmojnë referët, sidomos në tri xhirot e fundit, ndaj Llapit, Feronikelit dhe Gjilanit.

Nga ana tjetër, prizrenasit do t’i hyjnë kësaj loje pa ndonjë presion dhe një barazim eventual për ta nuk do të ishte i keq.

Prishtina, për fitore dhe shpresë

Prishtina është e obligueshme të fitojë në duel me Gjilanin për t’i mbajtur gjallë shpresat për titull të kampionit.

Bardhekaltrit do të luajnë në Pejë si vendës dhe u duhen gjithsesi tri pikët nga kjo sfidë për të shpresuar më pas në ndonjë gabim eventual të liderit Drita, që luan në shtëpi me Lirinë.

Ekipi i Mirel Josës vjen nga barazimi me Feronikelin dhe një barazim tjetër të dielën mund t’i kushtojë edhe me titull.

Andaj, Bardhekaltrit janë mobilizuar për t’i fituar tri ndeshjet e fundit, të cilat i konsiderojnë si finale.

Gjilanasit nga ana tjetër luajnë pa ndonjë motiv, por që njëjtë si në derbin lokal me Dritën nuk e kanë ndërmend të bëjnë kompromise dhe do ta japin maksimumin nga vetja.

Treni i fundit për Besën

Humbja nga Flamurtari në shtëpi e ka lëkundur me themel Besën.

Skuadra pejane tash ka tri pikë më pak se Kuqezinjtë prishtinas dhe e sheh shumë afër rënies nga Superliga për herë të parë pas luftës.

Andaj, nëse humbin nga kampioni aktual Trepça ’89 pejanët mund të bien nga liga, pasi Flamurtari me një fitore ndaj Vllaznisë do të shkëputej në gjashtë pikë, dy xhiro pa përfunduar sezoni.

Pra, kjo xhiro pritet të zbulojë shumëçka rreth mbijetesës.

Pozheranasit tashmë janë dorëzuar dhe po e presin ta kapin për dore ekipin e dytë, që do të bjerë direkt nga liga. /Zëri/

Superliga – Java e 31-të

E diel

Drita – Liria

Prishtina – Gjilani

Trepça ’89 – Besa

Flamurtari – Vllaznia

Vëllaznimi – Llapi

Ndeshjet fillojnë në orën 16:00