50 me 50!

Sport May 05, 2018 - 13:23

Sigal Prishtina dhe Bashkimi do të përballen në mes vete në serinë finale të “Play-Off”-it të Superligës së Kosovës në basketboll. Bardhekaltrit e eliminuan në gjysmëfinale Golden Eagle Yllin, kurse prizrenasit ishin më të mirë se Rahoveci, për ta prekur finalen e madhe, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Pa asnjë diskutim, dy finalistët e këtij sezoni e dominuan basketbollin kosovar dhe me plot meritë janë në finale.

Njohësit e basketbollit mendojnë se ndeshjet finale mund të jenë interesante pasi të dyja ekipet kanë kualitet thuajse të njëjtë, në një sezon i cili nuk u ka ofruar shumë basketbolldashësve.

“Së pari dua të them që dy ekipet që kanë treguar më së shumti në ligë me meritë dhe pa shumë vështirësi kanë shkuar në finale. Janë dy ekipet më serioze dhe më të organizuara në Kosovë. Përgatitja fizike, psikike dhe ajo taktike do të luajnë rol shumë të madh në këto përballje. Gjasat i shoh 50 me 50 për vetë faktin se përbërja e ekipeve është përafërsisht e kualitetit të njëjtë”, theksoi për “Zërin” analisti i basketbollit e njëherësh trajner, Ismet Ferati.

“Përparësia e Prishtinës janë lojtarët vendorë më të mirë në Kosovë, ndërsa Bashkimi i ka lojtarët e huaj dhe trajnerin me përvojë. Shpresoj që gjithçka të shkojë në rregull, sjelljet e të gjithëve të jenë korrekte dhe të shohim basketboll kualitativ në këtë përfundim të garave, që këtë vit nuk kanë qenë edhe shumë interesante”, vazhdoi ish-basketbollisti kosovar.

Spaqi favorizon Bashkimin

Edhe Valentin Spaqi, dikur basketbollist e tash trajner, pret një luftë të madhe ndërmjet Prishtinës dhe Bashkimit në finale.

Ai megjithatë i favorizon prizrenasit këtë radhë për ta fituar titullin e kampionit, pasi konsideron se kohëve të fundit kanë ngritje të formës.

“Mendoj se kampion do të shpallet Bashkimi. E them këtë sepse Bashkimi është në ngritje të formës në kohën e duhur”, ka thënë Spaqi për gazetën.

Ai shpreson që në ndeshjet finale në palestra sportive të jenë të pranishëm edhe tifozët në numër të madh për të krijuar atmosferë të shkëlqyer në tribuna.

Ky edicion ka qenë mjaft i zbehtë, ndoshta prej më të dobëtëve në basketbollin e pasluftës. Me këtë pajtohen edhe dy trajnerët e lartpërmendur.

Dy gjigantët e basketbollit kosovar, Peja dhe Trepça, kanë mbetur jashtë “Play-Off”-it për shkak të krizës financiare, e cila i përcolli gjatë këtij edicioni.

Seria finale do të fillojë fundjavën tjetër, ndërsa skuadra që fiton tri ndeshje, qoftë Prishtina ose Bashkimi, do të shpallet kampione e Kosovës.

Prizrenasit janë në kërkim të titullit të parë pas luftës, kurse prishtinasit tashmë janë duke e dominuar basketbollin kosovar. /Zëri/