Finalja e pestë, për t’u fituar

Sport May 04, 2018 - 11:28

Nëse është dikush që mund të quhet njeriu i finaleve në futbollin australian, ai është Besart Berisha, shkruan sot gazeta Zëri.

Futbollisti kosovar do të luajë këtë javë në finalen e madhe të pestë në A-League. Skuadra e tij Melbourne Vicotry do të përballet në finale me Newcastle Jets.

Prishtinasi nuk ngopet kurrë me trofe dhe synon ta fitojë edhe një të tillë.

Ai e kishte fituar titullin e kampionit në vitet 2012 e 2014 me Brisbane Roar dhe në vitin 2015 me Melbournen, ndërsa me këtë të fundit kishte humbur në finalen e vitit 2017 nga Sydney FC.

Tash ai e kërkon titullin e katërt të kampionit që prej periudhës kur është transferuar në futbollin australian.

“Ne kemi qëndrim të fortë, djelmoshat kanë ndjenja të mira. Secili prej nesh po e pret me padurim finalen e madhe. Ju e dini se sa speciale është ta fitosh finalen e madhe. Madje edhe të luash në këtë ndeshje është gjithmonë speciale. Ju jepni gjithçka për ta fituar. Kjo është finalja ime e pestë e madhe në Australi dhe e treta me Melbournen. Është diçka nga e cila nuk ngopesh dhe dëshiron të luash çdo vit në këtë finale”, deklaroi fillimisht Berisha, i cili e mban rekordin prej 113 golash në futbollin australian.

“Ky është viti im i shtatë në Australi, respektivisht finalja e pestë dhe ky fakt më bën mjaft të lumtur. Po ndiej se po bëhem më i ri e jo më i vjetër. Unë dua t’ju gëzoj sa më shumë, pasi nuk dihet kurrë se kur do ta kesh ndeshjen e fundit. Unë jap gjithçka nga vetja. Ne u munduam vitin e kaluar, por shpresojmë që të fitojmë sivjet dhe ta sjellim trofeun në shtëpi”, vazhdoi Berisha, i cili thotë se golat nuk janë gjithçka, pasi e gëzojnë edhe asistimet që bën, siç ndodhi në ndeshjen e fundit me Sydneyn.

32-vjeçari premton se do të vazhdojë me ritëm të njëjtë edhe në sezonet e ardhshme derisa ta mbyllë karrierën.

E kur ndien se nuk po e shijon më futbollin dhe që nuk po e jep kontributin që dëshiron thotë se do t’i vendosë këpucët në gozhdë.

Përfaqësuesi kosovar konsiderohet si njëri prej futbollistëve më të mirë në histori të futbollit australian. /Zëri/