E keqe për Skifterët: Gjilani nuk ka fituar qe 10 vjet si vendas ndaj Dritës

Sport May 01, 2018 - 11:22
Lexoni më shumë detaje

Të mërkurën (2 maj) zhvillohet derbi më i madh lokal në vendin tonë, teksa përballen Gjilani dhe Drita.

Pavarësisht se me ambicje të ndryshme këtë edicion fitorja është obligim për dy klubet në rast se kërkojnë të kenë lavdinë e ndritshme të qytetit, për të cilën jetohet dhe luftohet tashmë e disa vite.

Nga 24 derbit e zhvilluar pasluftës bilanc më pozitiv ka skuadra e Dritës teksa ka regjistruar 9 fitore, krahas 8 fitoreve të Gjilanit dhe 7 ndeshjeve të tjera që kanë përfunduar me rezultat të barabartë.

Por, si për ironi të fatit pjesën dërmuese të fitoreve dy ekipet i kanë realizuar teksa ndodheshin në cilësinë e skuadrës mysafire.

Këtë e tregon fakti se skuadra e Gjilanit nuk ka arritur të mposhtë rivalin lokal që prej 10 vitesh kur ndodhet në cilësinë e ekipit nikoqir, bën të ditur Gazetasheshi.com.

Saktësisht në edicionin 2008/09 ishte hera e fundit kur kuq & bardhët triumfuan përballë “Intelektualëve” me rezultat 2-1.

Tani pas një dekade “Skifterat” kërkojnë që të përsërisin suksesin e dikurshëm, teksa për më tepër synojnë ti prishin planet për titullin kampion të rivalëve të përbetuar.