Inovacionet e Wengerit

Sport April 27, 2018 - 15:45

Saktësisht para një jave Arsene Wenger tronditi gjithë opinion sportiv kur njoftoi se do të largohej nga Arsenali në fund të këtij edicioni. Pas plot 22 vjetësh të kaluar në Londër, francezi mori vendimin që të largohej. Por, gjatë këtyre viteve ai i ka sjellë disa risi në futbollin anglez. Brokoli, masazhi, futbolli i bukur dhe nënshkrimi me futbollistët e huaj janë vetëm disa prej inovacioneve të Wengerit në ligën angleze, shkruan sot, gazeta "Zëri"

Përveç jetëgjatësisë së tij te Arsenali, Arsene Wenger do të mbahet mend edhe për disa gjëra të tjera në aventurën e tij në ligën angleze. E përditshmja “The Guardian” ka përgatitur pesë inovacionet që Wenger i ka sjellë në Premierligën angleze.

1. Prezantimi i gjërave shëndetësore që i nënvlerësojmë

Shtimi i brokolit në menynë e Arsenalit dukej si një revolucion më shumë për futbollin anglez sesa për Arsene Wengerin. Sidoqoftë, kur francezi prezantoi dietën me pak yndyrë dhe sheqer për lojtarët e tij, kjo gjë nuk kishte ndodhur më parë. Në fillim ishte tronditëse sepse para ndeshjes kishte sesione të tendosjes së futbollistëve dhe masazh, por shumë shpejt përfitimet ishin aq të qarta për lojtarët, saqë një grup nutricistësh e përqafuan atë përzemërsisht. Një dietë e balancuar me ushtrime shumë shpejt u bë standard jo vetëm në Premierligë, por edhe në shoqërinë britanike.

2. Globalizimi i një lige të kufizuar

Në vitin 1996 ishin vetëm dy trajnerë jashtë Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës në Premierligë, Wenger dhe Ruud Gullit. Më 2018-n totali është 12, duke përfshirë disa që njihen si më të mirët e botës. Të gjithë emrat e mundshëm për të zëvendësuar Wengerin janë të huaj gjithashtu. Në formacionin e parë të tij, Wengeri përfshiu vetëm një lojtar jobritanik, Patrick Viera (Dennis Bergkam mungoi atë ditë). Që prej asaj dite francezi ka transferuar futbollistë prej 26 shteteve të ndryshme dhe në ndeshjen e fundit të tij në Premierligë kundër Newcastlet të dielën, në formacion ishin përfshirë vetëm tre britanikë. Wenger ka qenë udhëheqësi i një ndryshimi substancial, prej një loje që ishte krejtësisht vendore te një e globalizuar. Disa e vajtojnë këtë gjë, por përftimet janë të mëdha. Llojllojshmëria në mesin e lojtarëve dhe e trajnerëve nuk ka rritur vetëm standardet, por ka sjellë është një varg ndryshimesh në futbollin anglez. Është bërë një shembull i mirë i shumëllojshmërisë kulturore në botën e globalizuar.

3. Bukuria dhe arti i futbollit

Kur Pep Guardiola ishte pyetur për largimin e Wengerit, ai kishte thënë: “Premierliga është e tillë për shkak të asaj që ka bërë ai”. Një trajner si Guardiola nuk do të vinte në Angli pa ndryshimin që është ndërmarrë nga Wengeri. Siç ka thënë edhe shefi ekzekutiv i Arsenalit, Ivan Gazids: “Arsene ka vendosur standarde të reja, duke bërë art përmes futbollit”. Me Thierry Henryn, Bergkampin dhe Robert Piresin në veçanti, Wenger tregoi se rrethi mund të bëhet katror, por edhe që ndonjëherë shpërblimi i saj mund të jetë bukuria.

4. Zhvillimi i lojtarëve

Që prej transferimit të tij të parë Wenger mori reputacion si njeriu i ujdive. Patrick Vieira u nënshkrua për vetëm 3.5 milionë funte nga Arsenali, derisa shumë shpejt u bë aq i vlefshëm dhe tepër i çmuar. Një paraqitje stabile në dekadën e sukseseve të Wengerit, ai krijoi një pozicion që shumë pak mund ta luajnë (edhe pas 13 vjetësh të largimit të tij, ai ende nuk është zëvendësuar). Wenger bëri edhe ujdi të tjera të mira, prej Freddie Ljunbergut e deri te Robin van Persie, para se të përqendrohej në zhvillimin e lojtarëve nga akademia. Suksesi më i madh mund të jetë Cesc Fabregas, që u paraqit për herë të parë me ekipin në moshën 16-vjeçare. Së fundmi Fabregas e quajti Wengerin si “figurë atërore”, që e ndihmoi atë të zhvillohej si lojtar dhe person. Kështu Wengeri është quajtur edhe nga Jack Wilshere, Alexander Hleb dhe Ainsley Maitland-Niles.

5. Ndërtimi më shumë se i vetëm një skuadre

Entuziazmi për t’i kthyer lojtarët në një produkt të finalizuar ishte bërë nga Wengeri për shkak të pabarazisë në tregun e transferimeve. Një ekonomist i trajnuar, ai pa pak vlera në pjesën më të madhe të marrëveshjeve për lojtarët, transaksione që sipas tij ishin përfitim për agjentët e lojtarëve, të shtyra nga të ardhurat televizive dhe të bëra nga pronarë diletantë të klubeve. Përmes aftësisë së tij menaxheriale, Wenger ndihmoi edhe në ndërtimin e stadiumit “Emirates” që pati një çmim prej 390 milionë funteve. Në edicionin e kaluar Arsenali pati të ardhura prej 419 milionë funtesh, duke e bërë klubin e gjashtë me më së shumti përfitime në botë. Kjo tregon aftësitë e Wengerit jo vetëm si trajner, por edhe si kujdestar i klubit./Zëri