Bashkimi, favorit

Sport April 25, 2018 - 12:33

Pas përfundimit të pjesës së rregullt të sezonit në Superligën e basketbollit, është koha për fazën e “Play-Off”-it. Katër skuadrat më të suksesshme të këtij edicioni do të përballen në mes vete në kërkim të trofeut të më të mirit.

Lideri Sigal Prishtina do ta nisë sonte këtë fazë me ndeshjen e parë që do ta zhvillojë në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në kryeqytet ndaj Golden Eagle Yllit, i cili përfundoi në pozitën e katërt në sezonin e rregullt. Ndërkaq nesër mbrëma në palestrën e sporteve “Sezai Surroi” në Prizren luajnë i dyti me të tretin, respektivisht Bashkimi ndaj Rahovecit.

Njohësit e basketbollit presin një luftë ndërmjet Prishtinës dhe Bashkimit në finale. Trajneri Valentin Spaqi i favorizon prizrenasit këtë radhë për ta fituar titullin e kampionit, pasi konsideron se kohëve të fundit kanë ngritje të formës.

“Mendoj se fillimisht Bashkimi dhe Prishtina do të kalojnë në finale dhe më pas kampion do të shpallet Bashkimi. E them këtë sepse Bashkimi është në ngritje të formës në kohën e duhur”, deklaroi fillimisht Spaqi për “Zërin”.

Ai beson se ndeshjet e fazës shtesë dhe më të rëndësishme të sezonit do të përcillen nga një numër i madh shikuesish, duke shpresuar që “Arpagjikët” e Prizrenit do t’u kthehen palestrave dhe të bëjnë atmosferë në tribuna, së bashku me tifo-grupet e klubeve të tjera të “Play-Off”-it. Ky edicion ka qenë mjaft i zbehtë, ndoshta prej më të dobëtëve në basketbollin e pasluftës. Me këtë pajtohet edhe ish-basketbollisti i njohur prizrenas. “Liga nuk është e fortë, por ka pasur kampionate edhe më të dobëta”, u shpreh ai.

Dy gjigantët e basketbollit kosovar, Peja dhe Trepça, kanë mbetur jashtë “Play-Off”-it për shkak të krizës financiare, e cila i përcolli gjatë këtij edicioni.

 

Superliga

 

Gjysmëfinalja e “Play-Off”-it

 

E mërkurë

19:30 Sigal Prishtina – Golden Eagle Ylli

E enjte

19:30 Bashkimi – Rahoveci