Don Bosko e kërkon fitoren ndaj Istogut dhe Ligën e Parë

Sport April 24, 2018 - 15:56

Klubi i basketbollit Don Bosko do ta kërkojë të enjten fitoren më të madhe të sezonit në Ligën e Dytë të basketbollit kosovar, shkruan zeri.info.

Ekipi prishtinas e humbi ndeshjen e parë të “Play-Offit” nga Istogu në Pejë me rezultat 66:55 dhe të enjten do ta kërkojë përmbysjen e madhe, për ta prerë një biletë për Ligën e Parë.

Klubit prishtinas i nevojitet fitorja me mbi 12 apo më shumë pikë epërsi për ta realizuar ëndrrën.

“Gjithçka vendoset në Palestrën tonë. Përparësitë janë në anën tonë sepse luajmë para tifozëve tanë”, thotë fillimisht për “Zërin” trajneri i Don Boskos, Valentin Spaqi.

Image

Ndeshja do të luhet të enjten nga ora 13:30 në shkollën “Don Bosko” në Prishtinë dhe aty do të përcaktohet kampioni i Ligës së Parë, i cili automatikisht inkuadrohet në Ligën e Parë.

Spaqi, dikur basketbollist i njohur kosovar, shprehet optimist para lojës së dytë me istogasit.

“Disavantazhi prej 11 pikëve mendoj se do të arrihet të shkrihet duke i reduktuar gabimet tona. Ne jemi ekip qe 8 muaj dhe arritja deri këtu është sukses i madh për ne”, vazhdoi Spaqi, i cili në ekipin e tij ka nxënës të kësaj shkolle, që është si një lloj i kolegjit amerikan.

Gjithsesi, kjo nuk do të jetë mundësia e fundit e Don Boskos për t’u inkuadruar në Ligën e Parë.

Edhe nëse nuk arrin ta shkrijë avantazhin e Istogut, klubi prishtinas do ta ketë një shans të dytë.

Image

Në fakt, ekipi humbës i së enjtes do të luajë në “Play-Out” me Prishtinën e Re dhe nëse e mund këtë ekip nga Liga e Parë, e dërgon atë në Ligën e Dytë dhe vetë inkuadrohet në Ligën e Parë.

Spaqi po punon intensivisht për ta shfrytëzuar njërën nga këto dy mundësi. /Zëri/