Netët e spektakleve

Sport April 24, 2018 - 15:48

Të martën dhe të mërkurën do të luhen takimet e para gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Dy befasitë e këtij edicioni, Roma dhe Liverpooli, do ta zhvillojnë ndeshjen e parë sonte në mes vete në “Anfield”. Ndërkohë, të mërkurën na pret përballja mes dy titanëve evropianë, Bayern Munichut dhe kampionit aktual të kësaj gare, Real Madridit, shkruan sot, gazeta “Zëri”.

Liga e Kampionëve tashmë ka hyrë në fazën e parafundit të saj. Këtë javë kompeticioni më prestigjioz evropian do të kthehet me ndeshjet e saj gjysmëfinale. Të martën dhe të mërkurën futbolldashësit do të mundnin t’i ndjekin dy sfida të mëdha, në të cilat spektakli pa dyshim që do të jetë i garantuar.

Të martën do të përballen mes vete dy befasitë e mëdha të këtij edicioni, Liverpooli dhe Roma, të cilat në fazën e kaluar eliminuan nga gara ekipe si Manchester City dhe Barcelona, që konsideroheshin si favoritët kryesorë për të triumfuar në këtë garë. Klubi anglez kishte triumfuar me rezultatin e thellë 5:1 nga të dyja takimet, ndërsa Roma kishte arritur të kthehej nga humbja 4:1 në “Camp Nou” për të fituar 3:0 në “Olimpico”, duke siguruar kështu gjysmëfinalen falë golit të shënuar si mysafir.

Emre Can, i cili prej kohësh ka mbetur jashtë fushave të gjelbra, do të mungojë në këtë takim për gjigandin anglez, ndërsa te Roma nuk pritet të ketë ndonjë mungesë të rëndësishme. Ky do të jetë takimi i pestë mes dy klubeve, kurse në katër takimet e kaluara, tri fitore i kanë takuar anglezëve, një italianëve, kurse një sfidë është mbyllur në barazim.

Kjo pritet të jetë një ndeshje mjaft emocionuese për Mohamed Salahun, i cili do të rikthehet për herë të parë në “Olimpico”, që prej transferimit të tij nga Roma te Liverpooli në verën e kaluar.

Vëmendja më e madhe e futbolldashësve pa dyshim që pritet të jetë në sfidën e së mërkurës në përballjen mes dy gjigandëve evropianë, Bayern Munich dhe Real Madrid në “Allianz Arena”, shkruan “Zëri”.

Klubi bavarez do të kërkojë hakmarrjen ndaj spanjollëve për eliminimin në çerekfinalen e vitit të kaluar. Në edicionin e kaluar të këtij kompeticioni gjigandi madrilen kishte triumfuar me rezultatin e përgjithshëm 6:3 dhe në fund edhe kishte triumfuar në këtë garë.

Manuel Neuer, i cili prej kohësh është jashtë fushave, David Alaba dhe Arturo Vidal do t’i mungojnë Jupp Heynckesit në këtë takim, ndërsa në dyshim është edhe Kingsley Coman.

Ndërkohë, te Real Madridi nuk pritet të ketë ndonjë mungesë. Kjo do të jetë përballja e katërt mes dy klubeve në Ligën e Kampionëve në gjashtë vjetët e fundit, kurse në rrafshin e përgjithshëm kjo do të jetë sfida e 24-t mes tyre në garat evropiane.

Nga këto përballje, të dyja ekipet kanë nga 11 fitore, ndërsa kanë barazuar vetëm dy herë. Sa i përket golave, spanjollët kanë realizuar 37, ndërsa gjermanët 36 sosh.

Duke marrë parasysh statistikat e ndeshjeve të kaluara mes gjermanëve dhe spanjollëve, ndeshja në “Allianz Arena” nuk duhet humbur nga tifozët e sportit më të popullarizuar në botë./Zëri

Liga e Kampionëve

Gjysmëfinalja

E martë

20:45, Liverpool – Roma       

E mërkurë

20:45, Bayern Munich – Real Madrid