Futboll pa prokuror

Sport April 24, 2018 - 12:56

Nuk po kalon as kampionati më i mirë i Kosovës së pasluftës pa iu kontestuar “Fair-Play”. Qysh më 20 shkurt Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e pati lëshuar një deklaratë përmes së cilës thoshte se kryetari Fadil Vokrri do ta takojë prokurorin e Shtetit dhe do të kërkojë prej tij që ta caktojë një prokuror për t’u marrë me dukuritë negative në futboll, duke përfshirë këtu kurdisjet. Mirëpo, kur kanë kaluar dy muaj prej atij njoftimi të FFK-së, Prokuroria i tha “Zërit” se deri më tani nuk ka marrë kurrfarë shkrese apo kërkese prej shtëpisë së futbollit

Derbi i së dielës ndërmjet Llapit dhe Dritës (1:3) pritej t’ia jepte hijeshimin më të madh këtij kampionati të jashtëzakonshëm, shkruan sot gazeta Zëri.

Por, ndeshja në Podujevë e prodhoi skandalin dhe turpin më të madh të këtij edicioni, i cili në vazhdimësi është vlerësuar si më i miri në Kosovën e pasluftës.

Dyshime mbi “Fair-Play”-n e këtij derbi me peshë u hodhën nga tri pista.

Një natë para lojës trajneri i Llapit, Tahir Batatina, po deklaronte se ndjenjat e tij, të klubit nga Podujeva dhe të llapjanëve nuk mund të blihen.

Ndërsa pak orë para fillimit të lojës një portal e publikoi një bisedë me shkrim në “Viber” ndërmjet krerëve të Dritës, sipas së cilës bisedë fati i tri pikëve të ndeshjes ishte përcaktuar qysh më herët.

Ndërsa, kulimi arriti gjatë rrjedhjes së ndeshjes kur nga disavantazhi prej 1:0 Drita kaloi në epërsi prej 1:2 dhe pastaj 1:3.

Në ato momente shikuesit llapjanë po hidhnin gjësende në fushë ndaj ekipit të tyre dhe po brohorisnin “Marre – marre; Mos e shit – mos e shit”.

Ndërkohë tifozë llapjanë hynë edhe në fushë për ta ndërprerë lojën, që sipas tyre, nuk kishte pse të zhvillohej meqë ishte kurdisur.

Llapi bënte be që nuk e ka shitur lojën, sikurse Drita që garantoi se biseda e drejtuesve të saj e publikuar në një portal ishte montazh.

Kështu edhe u krijuar zhurma dhe mjegulla më e madhe e këtij kampionati, në të cilën situatë është e vështirë të mësohet e vërteta e të cilën do të duhej ta zbulonin dhe ta tregonin institucionet më kompetente, në këtë rast Prokuroria dhe Federata e Futbollit e Kosovës (FFK).

FFK-ja gati para dy muajsh pati deklaruar se kryetari i saj Fadil Vokrri do ta zhvillojë një takim me prokurorin e Shtetit për të kërkuar prej tij që ta caktojë një prokuror, i cili prioritet do t’i kishte lëndët nga rastet e tilla.

“Presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri, do ta mbajë një takim me prokurorin e Shtetit nga i cili do të kërkojë që të angazhojë një prokuror, i cili do të kishte prioritet lëndët e çfarëdolloj dukurie e parregullsie negative që dëmtojnë futbollin e Kosovës”, thuhej në njoftimin e FFK-së të datës 20 shkurt.

Mirëpo Prokuroria i ka thënë “Zërit” se nuk ka marrë kurrfarë kërkese nga shtëpia e futbollit.

“Zyrtarisht deri më tani nuk e kemi marrë asnjë kërkesë/shkresë nga Federata e Futbollit e Kosovës për këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për gazetën “Zëri”.

FFK: Ne merremi me çështje sportive

Në lidhje me rastin Llapi – Drita ka folur edhe FFK-ja përmes zëvendëssekretarit të saj, Arianit Ahmeti.

Ky tha se FFK-ja do t’i kryejë të gjitha punët që i takojnë, kurse institucionet tjera duhet ta bëjnë pjesën tjetër të punëve që u takon.

“Ky rast ka qenë i veçantë sepse para ndeshjes dolën ato raportimet në medie. Duke e parë situatën nënkryetari i FFK-së menjëherë e ka udhëzuar oficerin për Integritet që të shkojë dhe ta përcjellë nga afër ndeshjen. Pra, fjala është për oficerin për Integritet nga FFK-ja, i cili qe një vit e gjysmë i ka ndjekur të gjitha trajnimet e UEFA-s për t’i detektuar kurdisjet”, tha ai.

“Ne do t’i shqyrtojmë të gjitha rrethanat, raportet zyrtare nga ndeshja dhe natyrisht se do të marrim vendime dhe ato do të bëhen të ditura. Po flas për vendime sportive që do t’i marrim me Komisionin e Garave konform raporteve zyrtare. Me çështjet tjera janë organet tjera që merren, kurse ne si FFK merremi me çështjet sportive”, u shpreh Ahmeti.  

Sipas tij, FFK-ja kërkon prokuror të veçantë për t’u marrë me çështjet negative në futboll duke u mbështetur në Ligjin për Parandalimin e Dukurive Negative në Sport. /Zëri/