'Play-Off'-i më i zbehtë ndonjëherë

Sport April 24, 2018 - 10:18

Fundjava që shkoi e kompletoi pjesën e rregullt të kampionatit të Kosovës në basketboll, shkruan sot gazeta Zëri.

Pa dyshim, ishte njëri prej sezoneve më të zbehtë në basketbollin e pasluftës.

Gjigantët si Peja dhe Trepça u përballën me krizë të thellë dhe kjo reflektoi edhe me paraqitjet e tyre.

Verdhezinjtë rrezikuan të binin nga Superliga për herë të parë, kurse “Xehetarët” u këndellën vonë dhe mbetën pa “Play-Off”.

E krizës së dy prej ekipeve më të mira të basketbollit të pasluftës ua panë hairin skuadrat tjera si Golden Eagle Ylli dhe Rahoveci, që e prenë nga një biletë për “Play-Off” krahas të së përhershmes Sigal Prishtina dhe Bashkimit.

“Play-Off”-i në mesjavë

Ndeshjet gjysmëfinale të “Play-Off”-it të Superligës së basketbollit do të fillojnë në mesjavë.

Sigal Prishtina, si lidere e sezonit të rregullt, do të përballet në kryeqytet me Golden Eagle Yllin, i cili përfundoi në pozitën e katërt.

Kjo ndeshje do të zhvillohet të mërkurën mbrëma, duke filluar nga ora 19:30.

Ndërkaq, dueli tjetër gjysmëfinal është ai në mes të Bashkimit, që ishte i dyti, dhe Rahovecit, i cili përfundoi në pozitën e tretë.

Kjo ndeshje zhvillohet të enjten në Prizren duke filluar nga ora 19:30.

Shpëton Peja

Peja ishte zhgënjimi më i madh i këtij edicioni në basketbollin kosovar.

Verdhezinjtë u përballën me krizë të thellë të rezultateve pasi luajtën kryesisht me lojtarë të rinj.

Ish-kampioni kosovar e siguroi mbijetesën falë fitores së regjistruar në xhiron e fundit ndaj Kerasan Prishtinës, e cila ka rënë nga Superliga.

Kurse, Borea përfundoi në “Play-Out”.

Rahoveci e bëri historinë

Rahoveci e ka shkruar historinë. “Vreshtarët” ia dolën ta sigurojnë një vend në “Play-Off” për herë të parë në histori të tyre pas paraqitjeve mbresëlënëse gjatë tërë sezonit.

Rahovecasit e shfrytëzuan krizën e Pejës e të Trepçës dhe me përforcime edhe nga jashtë e kapën në fund pozitën e tretë në tabelë, një sukses ky i jashtëzakonshëm për ta.

Bashkimi – Penza, finalja e femrave

Edhe Liga e Parë e femrave këtë edicion është mjaft interesante. Bashkimi dhe Penza janë kualifikuar në finalen e madhe.

Ekipi që i fiton tri ndeshje shpallet kampion i Kosovës. /Zëri/