Osmani: Jemi të lumtur, s’do të ndalemi me kaq

Sport April 24, 2018 - 10:08

Trajneri Qatip Osmani i ka meritat e tij, pasi e menaxhoi mjaft mirë ekipin e Shkëndijës, i cili e fitoi titullin e dytë në histori të klubit, pas atij të fituar në vitin 2011, shkruan sot gazeta Zëri.

“Kampionati nuk është mbyllur ende, por Shkëndija u shpall kampione dhe jam i lumtur për këtë fakt. Shpresojmë se Shkëndija nuk do të ndalet vetëm me titullin e kampionit, shpresojmë ta marrim edhe Kupën e Maqedonisë. Gjithashtu, edhe në kupat e Evropës së paku ta përsërisim rezultatin e sezonit të kaluar”, tha fillimisht Osmani.

“Me ardhjen e ‘Ecologut’ e pashë se Shkëndija po shkon në një drejtim ku u bë me të vërtetë ekip serioz, i madh dhe, edhe pse nuk isha pjesë e këtij ekipi, shpresoja që Shkëndija të shpallet kampion. Fati deshi që unë të jem trajner dhe nën udhëheqjen time Shkëndija bëhet kampion dhe jam jashtëzakonisht i lumtur për këtë gjë”, vazhdoi ai.

Osmani thekson se e kishte në dispozicion një ekip cilësor, prandaj edhe pritej nga Shkëndija që ta dominonte futbollin maqedonas këtë edicion. “Unë isha i bindur se do të bëhemi kampionë, edhe pse konkurrenti ynë u dorëzua shumë herët, ndoshta për shkak të ‘fajit’ tonë pasi me të vërtetë këta djelmosha i dominuan kundërshtarët dhe meritat më të mëdha u shkojnë atyre”, përfundoi “Qato”. /Zëri/