Agolli feston titullin e pestë: Qëndroj te Qarabagu

Sport April 23, 2018 - 15:34

Ansi Agolli dhe Qarabagu fituan matematikisht trofeun, duke konfirmuar dominimin në futbollin azer, shkruan SS.

Edhe pse në dukje një sukses i lehtë, sipas ish-kapitenit kuqezi ajo që bëri diferencën është eksperienca.

"Ka qenë një vit i gjatë, pavarësisht se në pamje të parë duket sikur e kemi pasur të lehtë", ka thënë Agolli.

Festa pas fitores minimale në fushën e Sumqayit nuk do të shërbejë si shpërqendrim, me Agollin që deklaron se Qarabag do të respektojë kampionatin dhe do të synojë të fitojë ndeshjet e mbetura.

"Pas ndeshjes patëm një moment festimi, por kanë mbetur edhe katër javë, duhet të respektojmë kampionatin".

Mbrojtësi mbetet shumë i lidhur me klubin dhe e sheh të ardhmen sërish te Qarabagu, për të tentuar të tjerë trofe, por fillimit një tjetër arritje të rëndësishme në arenën ndërkombëtare.

"Objektivat e mi pa diskutim që janë të lidhura me skuadrën ku luaj".

Pas pak muajsh do të festojë 36-vjetorin e lindjes, por me paraqitjet në fushë Agolli duket sikur po përjeton një rini të dytë. Gjendje fizike e admirueshme, që mund ta bëjë një alternativë të vlefshme për trajnerin Panuçi në edicionin e ri, edhe pse lojtari preferon të mos flasë për këtë temë.

"E rëndësishme në futboll, por edhe në çdo fushë tjetër, është pasioni që ke për atë që bën".