Turpërohet kampionati më i mirë

Sport April 23, 2018 - 13:12

Përballja ndërmjet Llapit dhe Dritës pritej ta sillte spektaklin më të madh futbollistik në këtë kampionat të jashtëzakonshëm. Por, kjo përballje të dielën e prodhoi skandalin dhe turpin më të madh në këtë edicion. “Fair-play” i këtij derbi ishte vënë në pikëpyetje një natë para lojës. Dyshime për kurdisje u hodhën edhe pak orë para fillimit të lojës. Ndërsa kulmi arriti atëherë kur disavantazhin prej 1:0 Drita e shndërroi në 1:3 në favor të saj. Tifozët llapjanë hodhën gjësende në fushë ndaj ekipit të tyre dhe thërrisnin: “Marre-marre”, “mos e shit, mos e shit”. Ata hynë në fushën e blertë dhe ndërprenë lojën, e cila vazhdoi vetëm pas largimit të shikuesve prej stadiumit nga ana e Policisë

Të dielën krejt Kosova sytë i kishte kah stadiumi “Zahir Pajaziti” në Podujevë, ku ishin mbledhur rreth 5 mijë shikues për ta ndjekur derbin Llapi – Drita, i cili vlerësohej si më i madhi i deritanishëm në këtë kampionat, me një peshë të jashtëzakonshme në luftën për titull të kampionit.

Mirëpo, ky derbi ka prodhuar diçka tjetër, shkruan sot gazeta Zëri.

E ka prodhuar skandalin dhe turpin më të madh të këtij edicioni, i cili vlerësohej më i miri në Kosovën e pasluftës.

Drita doli fituese nga Podujeva me rezultat 1:3 përmes një “hat-tricku” të Kastriot Rexhës.

Mirëpo, “fair-play” është vënë në dyshim të madh. Gjithçka kishte nisur të shtunën mbrëma kur trajneri i Llapit, Tahir Batatina, e kishte shkruar një status të çuditshëm në profilin e tij në “Facebook”, përmes të cilit u drejtohej llapjanëve, që po u thoshte se ndjenjat e tij, të Llapit dhe të qytetarëve llapjanë nuk mund të blihen.

Në ndërkohë, pak orë para fillimit të lojës portali “Indeksonline” e kishte publikuar një bisedë me shkrim ndërmjet tri figurave kryesore të Dritës, kryetarit Valon Murseli, drejtorit Fisnik Kërçeli dhe trajnerit Bekim Isufi.

Sipas asaj që ishte publikuar dilte se Drita dhe Llapi e kishin kryer fatin e takimit. Kjo bëri që Drita prej stadiumit “Zahir Pajaziti” pak para fillimit të lojës ta lëshojë një deklaratë përmes së cilës tha se biseda e shkruar përmes “Viber”-it e drejtuesve të saj ishte montuar.

Loja nisi. U zhvillua një lojë shumë e fortë në pjesën e parë, në të cilën avanconte 1:0 përmes golit të Mirlind Dakut.

Trajneri gjilanas Bekim Isufi u përjashtua nga bankina shkaku i protestave ndaj gjyqtarëve.

Dhe krejt në fund të kësaj pjesë-loje Drita barazoi 1:1. Turpi i madh shpërtheu pas kalimit në epërsi të Dritës prej 1:2, tek minuta e 63-të.

Tifozët nisën të hedhin gjësende në fushë, kryesisht ndaj lojtarëve të tyre.

Tifozët llapjanë brohorisnin: “Marre-marre”, “mos e shit, mos e shit”.

Protesta e tifozëve vendas u përshkallëzua pasi Drita e shtoi epërsinë në 1:3.

Disa tifozë nisën ta lëshojnë stadiumin qysh në minutën e 70-të nën dyshimin se ekipi llapjan qëllimisht po humbiste.

Një pjesë tjetër e tyre vazhdonte të hidhte gjësende në fushë dhe të brohoriste “marre-marre”, “mos e shit, mos e shit”.

Kurse një grup tifozësh hyri në fushë me qëllim që ta ndërpresë lojën, që sipas tyre nuk kishte pse të zhvillohej meqë thoshin se Llapi e kishte shitur.

Duke e parë situatën, gjyqtari i dërgoi të dyja ekipet në dhomat e zhveshjes dhe urdhëroi zbrazjen e tribunave.

Ekipet u kthyen në fushë për t’i luajtur minutat e mbetura, të cilat nuk prodhuan gola të tjerë, por i prodhoi dy kartonë të kuq, që të dy për Llapin, i cili i humbi gjasat për titull pasi mbetet 11 pikë prapa Dritës.

Llapi e Drita bëjnë be që nuk bënë shitblerje

Tahir Batatina dhe ekipi i tij Llapi përpos ballafaqimit me Dritën u përballën edhe me tifozët e tyre, prej të cilëve klubi nga Podujeva u akuza për shitje të lojës ndaj Dritës.

Trajneri dhe donatori i këtij klubi, Batatina, pas ndeshjes ka bërë be që Llapi nuk e ka shitur lojën.

“U betohem të gjithë qytetarëve të Llapit se kurrë në jetën time as nuk kam shitur e as nuk kam blerë lojë. U betohen në katër fëmijët e mi, në familjen time. Por, derbin e prishën disa portale që publikuan të pavërteta dhe kjo na u kthye me presion nga publiku ynë”, ka deklaruar Batatina, i cili sa i përket lojës e akuzoi gjyqtarin Genc Nuza, për të cilin tha se me vendimet e tij i bëri dëme të mëdha Llapit.

Në anën tjetër, edhe trajneri Bekim Isufi garantoi se derbi u zhvillua në frymën e “fair-play”-t.

“Ne do t’i padisim ato portale që shpifën. Duhet pasur kujdes karshi kredibilitetit të një klubi si Drita dhe ndaj kredibilitetit tonë si njerëz, familjarë dhe si profesionistë”, ka theksuar ai, i lumtur me fitoren e madhe të ekipit të tij. /Zëri/