Po kthehet legjenda 44 vjeç!

Sport April 23, 2018 - 12:23

Mund të duket diçka e pabesueshme, por është plotësisht e vërtetë, shkruan sot gazeta Zëri.

Haxhi Zeka po e planifikon një rikthim të bujshëm në futbollin profesionist.

Zeka është ndër sulmuesit më efikas në historinë e pasluftës së futbollit kosovar, në të cilin brenda një edicioni pati arritur t’i shënojë deri në 37 gola.

Ai është një sulmues legjendar i klubit të dytë më të suksesshëm në këto dy dekadat e fundit Besës, së cilës i pati ndihmuar jashtëzakonisht shumë në fitore historike.

Ish-sulmuesi i njohur u pat pensionuar para katër vjetësh nga futbolli aktiv dhe nga Besa e zemrës së tij, gjë që kishte prodhuar pikëllim te tifozët e tij jo vetëm në Pejë, por në të gjithë Kosovën, ku karriera e Zekës ishte bërë tejet e respektuar.

Ndërsa shumë shpejt Zeka pritet t’i kthehet futbollit aktiv dhe Besës, ku aktualisht është ndihmëstrajner.

Janë tre faktorë që e kanë shtyrë Zekën t’ia mësyjë rikthimit në futboll tani kur po e pret ditëlindjen e 44-t të tij.

Kriza e madhe e rezultateve, rreziku tejet i madh për të rënë për herë të parë nga Superliga dhe fondi i varfër me futbollistë i Besës e kanë shtyrë Zekën të sakrifikojë për klubin e zemrës.

Image

“Fillimisht dua të sqaroj se rikthimi nuk është definitiv. Por nuk e përjashtoj rikthimin. Fillimisht dua t’i bëjë testet mjekësore për ta parë nëse jam në gjendje t’i kthehem futbollit”, ka deklaruar për “Zërin” Zeka. Ai thotë se ndihet mirë fizikisht përkundër moshës të cilën e ka arritur.

“Unë ndihem mirë fizikisht sepse edhe pas pensionimit nuk i jam ndarë futbollit. Kam luajtur vazhdimisht futboll të vogël, po ashtu kam luajtur me ekipin në seanca stërvitore ku jam ndihmëstrajner”, theksoi ai. Zeka ka treguar se si ka ardhur puna deri te rikthimi.

“Unë jam ndihmëstrajner në Besë dhe vërtet kemi probleme me lëndime të futbollistëve dhe fond të vogël të lojtarëve. Drejtuesit e klubit duket se e kanë parë gjendjen time fizike duke luajtur me ekipin në stërvitje dhe më kërkuan ta shqyrtoj mundësinë e rikthimit. Natyrisht, Besa është klubi i zemrës sime dhe jam i gatshëm t’i dal në ndihmë kurdo që ajo kërkohet prej meje”, ka potencuar Zeka.

Por a ndihet i gatshëm Zeka për të zhvilluar ndeshje kampionale?. “Besoj që po. Të paktën 40 apo 45 minuta mund të luaj pa problem”, ka thënë ai.

Besa po e kalon stinorin më të vështirë në histori. Klubi nga Peja gjendet në zonën e barazhit, por ndihet i rrezikuar edhe nga zona që largon nga Superliga.

Zeka shpreson që ekipi kuqebardh të mbijetojë në Superligë, çoftë edhe përmes barazhit, prej së cilës zonë vështirë se do të mund të ngrihet. /Zëri/