Kampionia dyshon se u tradhtua nga futbollistët

Sport April 23, 2018 - 12:19

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në futbollin kosovar, shkruan sot gazeta Zëri.

Trepça ’89 i ka suspenduar tre futbollistë të njohur të saj, te të cilët kampionia në fuqi e Kosovës dyshon se qëllimisht kanë vepruar në dëm të klubit për t’u bërë mirë klubeve të tjera.

Përkatësisht, mitrovicasit kanë shprehur publikisht dyshime se të tre lojtarët e tyre kanë ndikuar në eliminimin e Trepçës ’89 nga lufta për titull të kampionit.

Madje, fjala është për tre futbollistë shumë të njohur: Argjend Mustafën, Festim Krasniqin dhe Shend Kelmendin, i cili më moti ishte lënë i lirë edhe nga FC Prishtina.

“Futbollistët e lartpërmendur pas seancës stërvitore të mbajtur të premten janë futbollistë që gjendeshin në mesin e 18 futbollistëve për ndeshjen e javës së 28-të me Gjilanin. Të njëjtit të shtunën sipas protokollit të klubit nuk u paraqitën në drekën e përbashkët dhe nuk udhëtuan për zhvillimin e ndeshjes në Gjilan, duke e bojkotuar klubin”, thotë Trepça ’89 përmes një deklarate për opinionin.

“Ne jemi të informuar se ky veprim i tre futbollistëve është bërë me qëllim të caktuar për ta dëmtuar Trepçën ’89 dhe për favore të kubeve të tjera”, ka theksuar klubi nga stadiumi “Riza Lushta”.

’89-shi thekson se hulumtimi që e ka bërë i ka dhënë rezultate të dyshimta për të tre këta futbollistë.

“Duke i shikuar rrethanat e ngjarjes, klubi dyshon që këta tre futbollistë kanë bashkëpunuar me individë të caktuar për favore të klubeve të tjera, po ashtu janë shkaktarë të cilët na larguan nga gara për titull të kampionit. Ata e dinë pse!”, ka nënvizuar Trepça ’89, e cila duke u bazuar në rregulloret e saj i ka pezulluar futbollistët pa treguar afatet kohore apo masat e tjera suspenduese.

Në anën tjetër, ndër lojtarët e suspenduar që kanë reaguar janë Argjend Mustafa dhe Shend Kelmendi.

Ata i kanë konsideruar të pavërteta pretendimet e Trepçës ’89 dhe kanë garantuar pastërti nga ana e tyre.

Sipas tyre, krejt kjo është bërë pa nevojë dhe “rrëmuja” ka nisur pak para lojës me Gjilanin në lidhje me përcaktimin e një vendi për të drekuar së bashku. /Zëri/