Barcelona e fiton Kupën e Mbretit për herë të katërt më radhë

Sport April 21, 2018 - 23:22
Lexo detajet

Barcelona e ka mundur bindshëm Sevillën për ta fituar Kupën e Mbretit për herë të katërt më radhë dhe të 30-tën në histori të shtunën mbrëma.

Finalja e Kupës së Mbretit u zhvilluar në “Wanda Metropolitano” në Madrid dhe i takoi Barcelonës me rezultat të thellë 5-0, raporton Gazeta Express.

Gjithçka nisi furishëm për Barcelonës, e cila kaloi në epërsi kur portieri Jasper Cillersen me një pasim të gjatë e gjeti Philippe Coutinhon, i cili u fut në zonë dhe asistoi magjishëm te Luis Suarez dhe ky i fundit me shumë lehtësi e vendosi topin në rrjetën e portës kundërshtare.

Dominimi i djelmoshave të Ernesto Valverdes vazhdoi dhe u shpagua në minutën e 31-të kur Lionel Messi realizoi për 2-0 pas një kombinimi të bukur në zonë mes tij Andres Iniestas dhe Jordi Albas.

Pesë minuta pa u mbyllur pjesa e parë sulmuesi uruguaian Suarez shënoi prapë, kësaj radhe pas një super asisti nga Messi.

Barcelona e vazhdoi aty ku e la edhe pjesën e dytë, duke e ngritur në 4-0 epërsinë me golin e Andres Iniestas. Asistues, përsëri Messi.

Barça fitoi penallti 30 minuta para fundit të takimit, të cilën në gol e konvertoi Philippe Coutinho, pasi ylli argjentinas Leo u tregua zemërgjerë.

Triumfi në Kupën e Mbretit vjen si lehtësim për Ernesto Valverden pas eliminimit tronditës në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Barcelona pret që vetëm edhe matematikisht ta sigurojë titullin në La Liga për këtë sezon, pasi i duhen edhe vetëm tri pikë në pesë ndeshjet e mbetura për ta rifituar atë.

Barcelona është skuadra që e kanë fituar më së shumti këtë trofe, plot 30 herë pas triumfit të sotëm, ndërsa pas saj qëndrojnë Athletic Bilbao me 23 trofe dhe në vendin e tretë Reali i Madridit me 19. /Gazeta Express/