Middlesbrough, shpresë për refugjatët

Sport April 20, 2018 - 14:14

Ashtu si në Gjermani, edhe klubet angleze kanë filluar projektet e tyre për t’i ndihmuar refugjatët. Njëra prej këtyre klubeve është Middlesbrough. Klubi i madh anglez, i cili aktualisht luan në kategorinë e dytë të futbollit, u ndihmon mbi 30 refugjatëve dhe azilantëve të adaptohen në shoqëri, të mësojnë gjuhën angleze dhe të luajnë futboll, shkruan sot, gazeta "Zëri"

Mutwakil Muhammad Ali shkëlqen me fanellën e kuqe të Middlesbrough. “Ata po më dhurojnë gjithçka, këpucë, rroba e mbështetje. Nuk e di si t’i falënderoj për të gjitha gjërat që kanë bërë për mua”, shprehet Ali.

Mutwakil, një refugjat që u largua nga lufta civile në Sudan në kërkim për një jetë më mirë, ka marrë pjesë në sesionin e trajnimeve të përjavshme të klubit në qendrën “Herlingshaw” në lagjen “South Bank” të Middlesbrough që prej fillimit të saj në vitin e kaluar. I themeluar nga klubi i kategorisë së dytë angleze të futbollit, fondacioni “MFC” së bashku me organizatën që merret me bamirësi lokale, Projektin Metodist të Azilit, kujdesen për më shumë se 30 refugjatë. Ata u ndihmojnë atyre që të socializohen, të mësojnë anglisht dhe të shijojnë pasionin e tyre të vërtetë: futbollin.

“Ky është sesioni im i preferuar javor. Është brilant”, thotë Paul South nga fondacioni “MFC”. “Djelmoshat e shijojnë me të vërtetë dhe janë shumë mirënjohës për mundësinë. Fanella e Middlesbrough ua jep atyre ndjesinë e identitetit”, shton ai.

Në një qytet që është sinonim i rritjes së tensioneve mes popullsisë ekzistuese të Mbretërisë së Bashkuar dhe me ardhjen e të rinjve në vitin 2016 kjo është një gjë e rëndësishme. Zyra e Imigrantëve ka filluar vetëm së fundmi dërgimin e azilantëve përsëri në Middlesbrough, pasi që ishin bërë target i vandalëve, sepse në fillim ishin akomoduar në vende lehtë të identifikueshme nga dyert e tyre të kuqe. Një raport i vitit të kaluar gjeti se pjesa më e madhe e azilantëve jetonin në pjesën më të varfër të shtetit sesa në atë të pasur, që kryesisht janë ndihmuar nga pjesa më e madhe e bashkive lokale dhe atyre të bamirësisë.

Fluksi i ri në Middlesbrough që prej fundit të vitit të kaluar ka rritur numrin e atyre që dëshirojnë të marrin pjesë në sesionet e klubit dhe South e pranon se ai ishte detyruar që të linte mësimet e anglishtes momentalisht. “Ne kishim shumë prurje të reja pak para Krishtlindjeve dhe klubi dhuroi 50 fanella”, thotë South. “Pa qenë të aftë për të punuar nuk ka ndonjë cikël jetësor në jetët e atyre djemve që vijnë në sesionet tona, ata bëjnë një vizitë te qendra dhe kaq. Kështu që kjo është një gjë e madhe për t’i ndihmuar ata që të takohen me njerëz të rinj dhe të integrohen në shoqëri”, shprehet ai.

Për ata që kanë aftësi për të luajtur më shpesh ekziston edhe mundësia për t’iu bashkuar Justice FC. Themeluesi i tij John Yarro vendosi të themelojë Ligën e të Dielës (“Sunday League”) në vitin 2013, kur ai ishte duke shkuar në shtëpi nga parku afër shtëpisë së tij dhe kishte parë një grup të refugjatëve të rinj duke qëndruar së bashku, duke shitur drogë dhe duke u përleshur. “Mendova më vete, ‘pse po e bëjnë këtë?’. Shkova dhe i pyeta, ‘a do të ishit të lumtur nëse do ta sillja një top dhe do të luanim?’ dhe ata të gjithë thanë, ‘po, po, po’. Kështu filloi ekipi”, thotë Yarro. 

Tani aty përfshihen rreth 20 kombësi të ndryshme për meshkuj dhe për femra, ata kanë përparuar në kategorinë më të lartë garuese të “Stockton Sunday League” dhe Yarro beson se disa prej lojtarëve të tij meritojnë të kenë një mundësi për të treguar veten në një nivel më të lartë. Sidoqoftë, prezenca e tyre nuk është mirëpritur nga shumica. Në një ndeshje këtë edicion dy lojtarë ishin përjashtuar pasi që referi ua kishte ndaluar atyre të flisnin një gjuhë tjetër përveç anglishtes, ndërsa Yarro, i cili e ka origjinën nga Kameruni, thotë se lojtarët e tij abuzohen rregullisht nga kundërshtarët. “Nuk kemi fonde dhe as përkrahje. Ne gjithashtu kemi përjetuar shumë diskriminime në fushë, në më shumë se një ndeshje futbollistëve tanë u është thënë që të kthehen andej nga kanë ardhur”, shprehet Yarro.

Middlesbrough është në mesin e klubeve të para angleze që tashmë ka krijuar një projekt për të ndihmuar refugjatët, por këto përpjekje janë të zbehta në krahasim me ato të bëra në Gjermani. Në vitin e kaluar “The Guardian” kishte vizituar Borussia Dortmundin, që përfshin rreth 65 sesione të tilla dhe përfshin rreth 800 refugjatë./Zëri