Khalidi, shpëtimtari i Prishtinës

Sport April 20, 2018 - 12:44

Basid Khalid po rezulton si një shpëtimtar i madh i FC Prishtinës në tri edicionet e fundit. Prishtinasit e patën fituar Kupën e Kosovës në vitin 2016 falë dy golave që i kishte shënuar sulmuesi ganez në finalen e fituar me rezultat 2:1 ndaj Dritës. I njëjti futbollist e çoi Prishtinën edhe në finalen e sivjetme me dy gola që i realizoi në dy ndeshjet gjysmëfinale kundër Vushtrrisë. Me 13 gola të shënuara 21-vjeçari e kishte ndihmuar shumë Prishtinën që ta zërë pozitën e dytë në kampionatin e kaluar, prej së cilës kishte shkuar në Evropë. Ai ka për t’i dhënë akoma më shumë ekipit të tij, shkruan sot, gazeta "Zëri".

Basit Abdul Khalid tashmë është bërë hero i FC Prishtinës. Sulmuesi ganez ka rezultuar si shpëtimtari më i madh i skuadrës bardhekaltër në këto tri edicionet e fundit prejse është transferuar në kryeqytetin kosovar. Ai i ishte bashkuar FC Prishtinës në pjesën e dytë të kampionatit 2015-2016, në të cilin gjiganti kosovar për herë të parë ishte rrezikuar shumë seriozisht për të rënë nga Superliga, por që në fund kishte shpëtuar.

Ndërsa Khalid nuk aktivizohej sepse veç sa kishte ardhur në Prishtinë dhe i nevojitej kohë për t’u adaptuar si me klimën, ashtu edhe me vendin ku po e niste një jetë të re, me njerëzit dhe me mentalitetin e këtushëm e mbi të gjitha me skuadrën. Në dallim prej ecurisë së keqe në kampionat, Prishtina ecte mirë në garën e Kupës, ku kishte mbërritur në finale me Dritën.

Prishtinasit kishin arritur ta fitonin këtë trofe me rezultat 2:1 pikërisht falë ganezit, i cili e kishte shfrytëzuar atë ndeshje spektakolare për të shpërthyer, duke i shënuar të dy golat e fitores së ekipit të tij. Kështu, ai ka zënë vend në historinë e madhe të FC Prishtinës.

“Sulmuesi nga Gana është më i merituari me dy golat e shënuar në finalen e Kupës së Kosovës kundër Dritës. Prishtina riktheu trofeun e Kupës pas dy vjetësh mungesë”, thuhet në uebfaqen e klubit bardhekaltër. Me atë paraqitje fantastike Khalid i siguroi vetes vend në skuadër për edicionin pasuese, 2016-2017.

Kështu, 21-vjeçari po e ndihmonte jashtëzakonisht shumë Prishtinën në luftën për titull të kampionit, të cilën betejë ekipi kryeqytetas nuk kishte arritur ta çojë deri në fund pasi Trepça ’89  e kishte fituar luftën për vendin e parë. Mirëpo Prishtina po përfundonte në vendin e dytë, që ia kishte mundësuar pjesëmarrjen në kualifikimet për Europa League, ndonëse ishte eliminuar nga Kupa, të cilin trofe e fitonte Besa, por që nuk po i përmbushte kushtet për të dalë në Evropë, shkruan "Zëri".

Kjo i hapi rrugë kualifikimit të Prishtinës falë vendit të dytë që e kishte zënë në kampionat, ku ishte ndihmuar me të madhe nga Basit Khalid, që i kishte realizuar 13 gola në një garë tepër të fortë me plot rivalë. Është pikërisht Khalidi kontribuuesi më i madh i Prishtinës në luftën për titull të kampionit dhe Kupën e Kosovës edhe në këtë edicion. Dy gola të tij në dy ndeshjet gjysmëfinale kundër Vushtrrisë e kanë çuar me vështirësi Prishtinën në finalen e madhe të Kupës, ku do të luajë me Vëllaznimin më 27 maj.

“E falënderoj Zotin. I falënderoj bashkëlojtarët për shpirtin e bashkuar, gjë që na mundësoi finalen”, deklaron Khalid, i cili shpreson të shënojë edhe në finale kundër Vëllaznimit për ta ndihmuar ekipin e tij drejt arritjes së objektivit. “Puna ekipore po i jep frytet e saj. Finalja me Vëllaznimin do të jetë e vështirë, por vetëm të bashkuar mund të fitojmë trofeun”, ka deklaruar Khalid, i cili i ka realizuar gjithsej tri gola në tri paraqitje në garën e sivjetme të Kupës.

Por, ai po e ndihmon mjaft shumë ekipin e tij edhe në garën kampionale, ku Prishtina mbetet kandidate e madhe për titull, pasi është e dyta në tabelë me vetëm tri pikë më pak sesa Drita. Khalid është paraqitur në 11 ndeshje të këtij kampionati duke kontribuar me dy gola e dy asistime, por që duhet kujtuar se për disa javë ka munguar shkaku i një lëndimi, i cili e ka detyruar edhe të operohet./Zëri