Kthimi i vonshëm i Johnit

Sport April 20, 2018 - 11:52

Otto John ishte futbollisti më kontributdhënës në triumfin e Trepçës ’89 në edicionin e kaluar, kur ekipi mitrovicas e fitoi titullin e kampionit të Kosovës dhe u kualifikua në Evropë, kurse vetë sulmuesi nigerian u shpall golashënuesi më i mirë i vitit të kaluar. John ishte shpresa e madhe e ’89-shit edhe në këtë kampionat, shkruan sot, gazeta "Zëri".

Por, efikasiteti i tij pësoi rënie të madhe dhe zhgënjyese, gjë që ka ndikuar edhe në ecurinë e Trepçës ’89, e cila tashmë ka ngelur me dhjetë pikë larg vendit të parë. Në fakt, John nuk kishte shënuar në dhjetë ndeshje, rënie kjo që askush nuk e priste prej një sulmuesi i cili vetëm pak kohë më parë vlerësohej si sulmuesi më i mirë në vend.

Mirëpo, 19-vjeçari i është kthyer “zanatit” të vjetër në këto javët e fundit. Por, vonë! Kjo për shkak se ekipit të tij paraprakisht i janë zbritur në minimum gjasat për ta mbrojtur titullin. John ishte kthyer me një “hat-trick” të realizuar në Podujevë, përmes të cilit ia kishte nxjerrë ekipit të tij një barazim prej 3:3 si mysafir i Llapit. Pastaj John kishte shënuar një gol në ndeshjen kundër Drenicës, duke ia dhënë një fitore të re skuadrës së tij.

Mirëpo, John nuk mundi të vazhdojë me gol edhe në ndeshjen ndaj Feronikelit, me të cilin kishte barazuar pa gola ekipi mitrovicas. Por, ai vazhdoi me gola në xhiron e fundit. I realizoi dy në fitoren prej 3:0 të mitrovicasve ndaj Vëllaznimit. Gjashtë gola të shënuara në katër ndeshjet e fundit konfirmojnë kthimin e Johnit në formë të mirë para portierëve kundërshtarë.

Derisa ekipi i tij gjendet në vendin e katërt të renditjes së klubeve vetë John e ka marrë kryesimin në listën e realizuesve me 13 gola të shënuara në këtë kampionat. Kjo e ka gëzuar futbollistin e njohur tashmë në vendin tonë, i cili deri para katër javësh ishte bërë më i kritikuari në Superligë për shkak se kishte pësuar rënie të jashtëzakonshme në formë, shkruan "Zëri".

“Kështu e ka futbolli. Për mua është i rëndësishëm ekipi. Jam munduar të shënoj gola, por nuk arrija dot. Mirëpo asnjëherë nuk jam dorëzuar. Jam i lumtur që u jam kthyer golave dhe shpresoj të vazhdoj kështu. Kështu e kanë sulmuesit në futboll. Kur shënojnë lavdërohen, kurse kritikohen atëherë kur nuk shënojnë”, ka deklaruar John, i cili e kishte detyruar edhe trajnerin Gugash Magani që t’ia ndërpresë besimin mbase të tepruar.

“Nuk kam pasur probleme në skuadër. Përkundrazi, trajneri dhe stafi më kanë përkrahur. Unë do të mundohem të shënoj gola edhe në ndeshjet e ardhshme”, ka theksuar ai.

John po rivalizohet nga Mirlind Daku i Llapit për epitetin e golashënuesit më efikas. Daku i ka realizuar 12 gola deri më tash, vetëm një më pak. Konkurrentë janë edhe Artur Magani i Lirisë me 11 gola, Genc Hamiti i Drenicës dhe Kastriot Rexha e Xhevdet Shabani të Dritës me nga 10 gola. John shpreson të përfundojë në krye të listës së realizuesve më të mirë./Zëri