17-vjeçari në rendin e burrave

Sport April 19, 2018 - 17:04

Ryan Sessegnon është vetëm 17-vjeçar, por qe dy edicione është duke luajtur me skuadrën e parë të Fulhamit. Ai është ylli i klubit londinez dhe shihet si një lojtar që mund t’i arrijë majat e futbollit. Ngjashëm sikur Gareth Bale, e filloi karrierën si mbrojtës i majtë para se të konvertohej në sulmues të majtë. Ai është votuar si “Lojtari i Vitit” në kategorinë e dytë të futbollit anglez, e cila njihet edhe si “Liga e burrave”, shkruan sot, gazeta "Zëri". 

Ishte marsi i vitit 2016 kur stafi i akademisë së Fulhamit shkoi te trajneri Slavisa Jokanovic dhe i rekomanduan atij që Ryan Sessegnon, që atëherë kishte vetëm 15-vjeçar, duhet të marrë pjesë në stërvitjet e ekipit të parë. Jokanovic u pajtua dhe e përfshiu Sessegnon në seancën stërvitore të mëngjesit të së premtes. Por ishte një problem i vogël. Sessegnon ishte duke mbajtur mësim në shkollë dhe nuk i kishte marrë këpucët e tij sportive me vete.

Drejtori i akademisë, Huw Jennings e dërgoi Sessegnon në shtëpi që t’i merrte këpucët e tij, por doli edhe një problem tjetër, adoleshenti nuk i kishte çelësat. “Ne shkuam deri në Roehamtpon, por ai nuk kishte çelës me vete dhe hyri me forcë që t’i merrte këpucët”, thotë Jennings. Askush nuk do të thoshte se kishte hyrë me forcë në shtëpi, por që në fund ia kishte vlejtur. Tani 17-vjeçar Sessegnon u bë futbollisti i parë jashtë kategorisë së parë angleze të futbolli që u emërua në listën për çmimin “Lojtari i Ri i vitit” në Angli.

Të dielën ai ishte zgjedhur “Lojtari i Sezonit” në kategorinë e dytë të futbollit anglez, apo siç njihet me emrin “Championship”.

“Në stërvitjen e tij të parë me skuadrën, ai dukej sikur të mos kishte ndonjë dallim mes trajnimeve të moshave nën 18 apo 16-vjeçar”, shprehet Jennings. Pesë muaj më vonë Sessegnon do të bënte debutimin e tij me Fulhamin në ndeshjen si mysafir kundër Leedsit, ndërsa ende kishte kontratë në formë të bursës. Është një ditë që kapiteni Tom Cairney e mban mend me të qeshura. Cairneu thotë se ishte në mëdyshje mos trajneri Jokanovic kishte bërë gabim kur e përmendi emrin e Sessegnonit, shkruan "Zëri".

“Mendova që ai bëri një gabim në germëzim. Luanin jashtë kundër Leedsit. ‘Elland Road’ nuk është një vend kur ju prisni që t’i jepet rasti një 16-vjeçari”, thotë Cairney.

Djaloshi ishte në krye të detyrës. Ndeshja do të përfundonte 1:1, me Sessegnon që shkëlqeu në takimin e tij të parë të plotë. “Ai ishte lojtari më i mirë në fushë. Leeds nuk e dinte se çfarë të bënte me të dhe dukeshin shumë të parehatshëm”, shprehet Cairney.

Katër ditë më vonë Sessegnon u bë lojtari më i ri që kishte realizuar gol në “Championship” me vetëm 16-vjeç dhe 94 ditë kur Fulhami barazoi 2:2 në shtëpi me Cardiffin. Dy vjet e një muaj pas asaj stërvitjeje të së premtes dhe tani ai është një lojtar që ka shënuar 21 gola që prej debutimit të tij, ka fituar Kampionatin Evropian U-19 me Anglinë, ka ndërruar pozicion dhe flitet si njëri prej yjeve të ardhshëm botërorë. Shumë klube të mëdha kanë shprehur interesim për të. “Ai ka qenë i jashtëzakonshëm. Çfarë ka bërë ai në moshën e tij është diçka e padëgjuar në këtë ligë sepse është një ‘Ligë e burrave’. Dhjetë gola në 15 ndeshjet e fundit është e vështirë sepse ai ka luajtur shumë ndeshje, por vështirë që të vërehet. Ai gjithashtu nuk ka pasur një pushim të verës sepse ka luajtur në Evropian, kështu që nuk do të isha i befasuar nëse do të ishte paksa i lodhur”, thotë Cairney.

Nuk kalon ndonjë konferencë për shtyp që Jokanovic nuk pyetet për Sessegnonin. “Ai është një lojtar i veçantë, çfarë mund të them tjetër?”, shprehet Jokanovic duke buzëqeshur. “Është një privilegj që të punoj me një talent të tillë dhe me dikë që ka një efekt aq pozitiv në skuadër”, shton ai.

Sessegnon, i cili ka nënshkruar kontratën e tij të parë profesionale vetëm në verën e vitit të kaluar tashmë ka tërhequr interesimin e shumë klubeve të mëdha evropiane. Tootenhami dhe Barcelona e kanë vëzhguar progresin e adoleshentit, ndërsa edhe klube si Liverpooli, Manchester Unitedi dhe Real Madridi kanë qenë të lidhura me një transferim të anglezit./Zëri