Prishtina – Vëllaznimi, nga finalja e livadheve në finale evropiane

Sport April 19, 2018 - 14:18

Prishtina dhe Vëllaznimi janë dy klube me nam në futbollin kosovar. Natyrisht, prishtinasit janë më të trofeshmit në vend. Hiç titujt e kampionit, vetëm në finalet e garave të Kupës Prishtina ka luajtur deri më tani gjashtë herë në Kosovën e pasluftës. Bardhekaltrit i numërojnë tri kupa të fituara dhe tri finale të humbura, shkruan sot, gazeta “Zëri”.

Kupën e fundit bardhekaltrit e kanë fituar në edicionin 2015-2016. Ndërsa, finalja e sivjetme do të jetë e treta për Vëllaznimin, i cili në dy finalet e mëparshme i ka regjistruar një fitore dhe një humbje.

Finalja e muajit të ardhshëm ndërmjet Prishtinës dhe Vëllaznimit do të jetë e para në mes  tyre në Kosovën e pasluftës. “Zëri” shkruan se këto dy klube me nam janë takuar një herë në finale të Kupës, por në edicionin 1993-1994, kur futbolli kosovar ishte mëvetësuar nga ai i Ish-Jugosllavisë dhe mezi mbijetonte pasi ishte i izoluar në katër anët dhe zhvillohej fshehurazi nga ish-regjimi.

Në atë kohë ekipet e Kosovës luanin në ara e livadhe nën frikën e regjimit të asaj kohe. Atë finale e kishte fituar Prishtina me rezultat 2:1. Kurse, finalja e sivjetme prodhon ekip për pjesëmarrje në garat e Europa Leagues. Natyrisht, nëse ekipi fitues i plotëson kriteret e UEFA-s. /Zëri/