Vushtrria e madhe

Sport April 19, 2018 - 13:08

Kualifikimi në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në futboll, ku mezi e eliminoi favoritja kryesore për këtë trofe, Prishtina, ka konfirmuar se Vushtrria është reformuar mirë dhe se është e gatshme për të garuar në Superligë, ku para pak vitesh e kishte fituar titullin e kampionit, shkruan zeri.info

Ndërsa, më pas kishte rënë në Ligën e Parë shkaku i një krize të madhe financiare. Mirëpo, vushtrriasit qe një kohë janë riorganizuar, janë reformuar dhe janë mobilizuar për t’u kthyer në Superligë. Ata janë në rrugë të mirë pasi aktualisht gjenden në zonën e “Play-Off-it” me mundësi të mira për të përfunduar në njërën prej  dy pozitave të para që çojnë direkt në Superligë.

Ky ekip ishte befasia më e mirë e garës së Kupës, prej së cilës me shumë vështirësi i eliminoi Prishtina e pasur. Vushtrria doli koklartë nga Kupa, e bindur se në fund të këtij stinori do ta fitojë statusin e anëtares së Superligës.

“Futbollistët e Vushtrrisë treguan se nuk janë larg skuadrave të Superligës, por edhe simpatizuesit tanë e meritojnë që ekipi i tyre të garojë në Superligë”, ka thënë trajneri i vushtrriasve, Isa Sadriu./Zëri