Shaqiri beson në mbijetesë

Sport April 19, 2018 - 11:02
Detajet

Xherdan Shaqiri ende nuk është dorëzuar në garën për të mbijetuar në Premierligë me Stoke Cityn. Pavarësisht se klubi i futbollistit shqiptar gjendet në vendin e 19-të në tabelë me vetëm katër xhiro të mbetura, Shaqiri ende beson se skuadra e tij mund t’ia dalë dhe të mbijetojë në elitën e futbollit anglez, shkruan sot, gazeta "Zëri".

Ekipi i Paul Lambertit nuk ka fituar në dhjetë ndeshjet e fundit në Premierligë, duke humbur pesë prej tyre dhe si pasojë e kësaj edhe duke rënë në vendin e 19-të në tabelë. Sidoqoftë, Shaqiri thotë se ekipi i tij ka kualitet të mjaftueshëm për t’i fituar ndeshjet e fundit në kampionat dhe për t’i ikur zonës së rënies nga elita. “Ne kemi katër ndeshje të mbetura dhe besimi ende ekziston”, ka deklaruar Shaqiri për “Sky Sports”.

“Ne duhet të fitojmë tri takime, s’ka më thjesht se kaq. Ne kemi dy ndeshje në shtëpi dhe dy jashtë. Nëse i fitojmë dy brenda dhe një jashtë ndoshta do të mbetemi. Ne besojmë deri në fund. Ne ende jemi në garë”, shtoi reprezentuesi zviceran.

“Kjo më ndodh për herë të parë në karrierë, por ne kemi lojtarë të mëdhenj dhe ata duhet të jenë në formë për këto ndeshje. Ne duhet të bëjmë më mirë. I gjithë sezoni ka qenë kështu. Në minutën e fundit apo kështu diçka ndeshja ka ndryshuar. Premierliga është aq e vështirë dhe çdo ekip e shfrytëzon edhe rastin më të vogël. Shpresoj që në katër ndeshjet e fundit të jemi të bashkuar dhe të fitojmë së paku tri ndeshje”, përfundoi ai.

Nëse Stoke bie Shaqiri largohet

Rreziku i rënies së Stoke Cityt nga liga angleze sigurisht se e vë të ardhmen e Shaqirit në një pikëpyetje të madhe. Rënia e mundshme e klubit anglez nga elita do të thoshte largim për Shaqirin. Madje për një gjë të tillë ekziston edhe një klauzolë në kontratën e Shaqirit. Pra, rënia e klubit anglez në kategorinë ia hap derën ish-mesfushorit të Interit dhe Bayern Munichut për një transferim diku tjetër.

Paraqitjet e mira të tij këtë edicion kanë bërë që pas mesfushorit të vihen disa klube të njohura. Evertoni është klubi që ka shfaqur më së shumti interesim për  26-vjeçarin, i cili ka realizuar 7 gola dhe 6 asistime deri më tani këtë edicion, por nuk përjashtohet as një rikthim i mundshëm në Bundesligë./Zëri