Futbollistët e Prishtinës shkuan në finale, por nuk e treguan veten

Sport April 18, 2018 - 17:35

Prej fillimit të kampionatit FC Prishtina është vlerësuar si kandidatja kryesore për Kupë dhe titull duke i marrë parasysh investimet e mëdha që i ka bërë kryesia e klubit në futbollistë me emra, shkruan zeri.info

Por, janë pikërisht futbollistët ata që nuk po e arsyetojnë epitetin e të qenit favoritë, jo vetëm në Superligë, por tani as në garën e Kupës. Kjo më së miri u pa në ndeshjen gjysmëfinale të zhvilluar të mërkurën në Vushtrri ndërmjet Vushtrrisë së Ligës së Parë dhe Prishtinës.

Kësaj të fundit ka shkuar në finale, por me vështirësi të madhe, mbase edhe të pajustifikueshme.

Prishtinasve nuk i ka kryer punë as fitorja prej 1:0 nga ndeshja e parë për ta kaluar diç më lehtë ndeshjen kthyese.

Ishin vendasit ata që 90 minutat e kohës së rregullt të lojës kthyese i mbyllën me rezultat 1:0, duke e çuar lojën në vazhdime.

Ishte minuta e 100-të kur Prishtina arriti ta barazoi rezultatin në 1:1 me të cilin shkoi në finale.

Goli i Basid Khalidit doli vendimtar për Prishtinën pasi që deri te minuta e 120 nuk u realizua asnjë gol tjetër, shkruan zeri.info

Derisa Vushtrria e arsyetoi epitetin e kandidates për inkuadrim në Superligë nga Liga e Parë dhe doli faqebardhë nga gara e Kupës, Prishtina e bëri të kundërtën.

Mezi shkoi në finale me “yjet” e saj, të cilët as në minimum nuk e arsyetuan epitetin “yjeve” në futbollin kosovar. Sidoqoftë, ata e kanë edhe pak kohë për t’u treguar. Para vetes e kanë ndeshjen finale të Kupës e po ashtu edhe gjashtë xhiro kampionale, vendimtare për ta në luftën për titull./Zëri