Është mbushur Kupa

Sport April 18, 2018 - 13:53

Kupa tashmë është “mbushur” dhe sot do t’i japë dy finalistë. Në Vushtrri dhe në Gjakovë zhvillohen ndeshjet e dyta gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, pas së cilave do të mësohen emrat e finalistëve. Fitorja prej 1:0 nga ndeshja e parë e bën Prishtinën një favorite karshi Vushtrrisë. Por, kjo e fundit nuk do të dorëzohet nga tentativa për ta eliminuar favoriten numër 1. Ndërsa luftë e hapur i pret Vëllaznimin dhe Drenicën në Gjakovë. Kjo pasi ndeshja e parë në mes këtyre dy ekipeve kuqezi kishte përfunduar baras në Skenderaj, 1:1, shkruan sot, gazeta "Zëri".

E mërkura do të jetë një ditë shumë e rëndësishme për futbollin kosovar. Kjo për shkak se sot do të mësohen emrat e finalistëve të Kupës së Kosovës në futboll, fituesi i të cilit trofe do të shkojë në gara evropiane. Në garë për këtë trofe janë: Prishtina, Vushtrria, Vëllaznimi dhe Drenica. Që të katër klubet e lartpërmendura kanë aplikuar në Federatën e Futbollit të Kosovës për licencim për pjesëmarrje në gara evropiane, gjë që tregon më së miri interesimin e madh të tyre për ta fituar Kupën. Njkohësisht, ky fakt i paralajmëron edhe dy luftëra të mëdha që do t’i zhvillojnë këto katër skuadra sot në dy ndeshjet gjysmëfinale, sidomos kur merren parasysh rezultatet e ndeshjeve të para në mes tyre, që  kanë lënë mundësi shumë të hapura.

Prishtina e kishte mundur me rezultat minimal Vushtrrinë, 1:0. Kurse Vëllaznimi e kishte nxjerrë një barazim prej 1:1 si mysafir i Drenicës. Sot Vushtrria do ta ketë shansin që para tifozëve të vet ta përmbysë Prishtinën favorite, kurse barazimi nga ndeshja e parë në Skenderaj i jep shpresë Vëllaznimit që sot në Gjakovë ta eliminojë Drenicën, me të cilën kanë goxha ngjashmëri në cilësi.

Vushtrria provon ta përmbysë Prishtinën

Epërsia prej 1:0 nga ndeshja e parë gjysmëfinale dhe të qenit në vendin e dytë të Superligës e bëjnë Prishtinën një favorite për kualifikim në finale qysh para ndeshjes kthyese, që do ta zhvillojë sot në Vushtrri. Për këtë të fundit prishtinasit shprehin respekt dhe thonë se do t’i qasen me seriozitet maksimal ndeshjes sepse te Vushtrria shohin rrezik eliminimi.

Por janë të bindur se do të menaxhojnë mirë me situatën. “Në Vushtrri shkojmë me avantazh sepse e kemi fituar ndeshjen e parë, ku edhe pse kemi epërsinë 1:0 atje për ne fillon 0:0. Se jemi atje nuk i frikësohemi askujt, do të shkojmë e të japim maksimumin, duke e respektuar maksimalisht kundërshtarin, çfarëdo lloji qoftë ai. Por, ne kemi synimin e vetëm, kualifikimin në finalen e Kupës”, tha sulmuesi i prishtinasve, Ahmed Januzi.

Në anën tjetër, përkundër humbjes në ndeshjen e parë dhe të qenit anëtarë të Ligës së Parë, vushtrriasit thonë se do të provojnë ta eliminojnë ekipin e madh elitar. “Natyrisht se do të mundohemi të shkaktojmë befasi dhe ta eliminojmë Prishtinën edhe pse realisht gjasat që kjo të ndodhë janë të vogla kur dihet kualiteti i Prishtinës dhe epërsia e saj nga ndeshja e parë”, thotë sulmuesi i rrezikshëm i Vushtrrisë, Labinot Osmani, i cili shpreson të jetë i gatshëm për lojë pavarësisht një lëndimi që e ka munduar ditëve të fundit, shkruan "Zëri".

Vëllaznimi me 12 lojtarë kundër Drenicës

Ndeshje shumë e fortë pritet të zhvillohet po sot në Gjakovë ndërmjet Vëllaznimit dhe Drenicës. Ndeshja e parë gjysmëfinale e Kupës ndërmjet tyre, e zhvilluar në Skenderaj, kishte përfunduar baras, 1:1. Kjo ka bërë që Vëllaznimi ta presë diç më i relaksuar takimin kthyes dhe vendimtar, në të cilin i fton tifozët në numër sa më të madh që ta mbështesin drejt kualifikimit në finalen e madhe.

“Pa dyshim, sfidë shumë e fortë. Nuk bën të kënaqemi me atë që e kemi arritur si mysafirë të Drenicës në ndeshjen e parë. Duhet ta japim maksimumin me gjithë forcën tonë në ndeshjen kthyese. Besoj se Vëllaznimi mund të kualifikohet në finale, por për ta arritur këtë na nevojitet përkrahja e tifozëve që nuk na mungon asnjëherë. Tifozët janë lojtari ynë i 12-të”, thotë ylli i Vëllaznimit, Besnik Krasniqi. Vëllaznimi ka ngjashmëri për nga cilësia me kundërshtaren nga Skenderaj, me të cilën janë në luftë të ashpër për t’i ikur barazhit, shkruan "Zëri"

“Nuk e mendojmë barazhin, por synimi është finalja e Kupës. Po e përgatisim ndeshjen mirë, besoj se do t’ia dalim e të shkojmë në finale. Ndeshja është e hapur dhe ne jemi të bindur te forca e ekipit tonë”, ka thënë futbollisti i njohur i Drenicës Denis Peposhi, i cili potencon se barazimi prej 1:1 në Skenderaj nuk do të thotë se Vëllaznimi i është afruar finales. Sipas tij, gjasat mbesin 50 me 50 për qind./Zëri

Kupa e Kosovës

Ndeshjet kthyese gjysmëfinale

Vushtrria – Prishtina (15:00)

Vëllaznimi – Drenica (15:00)