Yjet pa Champions

Sport April 17, 2018 - 17:02

Liga e Kampionëve pa dyshim që është kompeticioni më prestigjioz në nivelin e klubeve. Çdo futbollist e konsideron këtë garë si njërën prej më të rëndësishmeve në karrierën e tij. Por ka mjaft yje të futbollit që nuk e kanë fituar këtë trofe. Ne ua sjellim njëmbëdhjetë prej tyre, shkruan sot, gazeta "Zëri"

Liga e Kampionëve shihet si njëri prej titujve më të çmuar në botën e futbollin. Shumë futbollistë e shohin triumfin në këtë garë si kulmin e karrierës së tyre, por ka lojtarë mjaft të mëdhenj që nuk kanë arritur ta fitojnë këtë garë. Ne ua sjellim formacionin e yjeve të futbollit që nuk kanë triumfuar në këtë kompeticion gjigand. 

Gianluigi Buffon

Pavarësisht se ka pasur një karrierë të jashtëzakonshme, Buffon nuk arritur kurrë të triumfojë në Ligën e Kampionëve. Ai u afrua shumë afër në tri raste, mirëpo dështoi. Në vitin 2003 humbi ndaj Milanit me penalti, më 2015-n u mposht 3:1 nga Barcelona, ndërsa pësoi disfatë edhe në vitin e kaluar ndaj Real Madridit me rezultatin 4:1. Duke marrë parasysh se ai ka deklaruar se ky edicion mund të jetë i fundit në karrierën e tij, ai mund të pensionohet pa fituar këtë garë të çmuar.

Lilian Thuram

Thuram ka luajtur për dy gjigandë evropianë si Juventusi dhe Barcelona, por nuk ka arritur që të ngrejë lart këtë trofe. Fituesi i Kupës së Botës ishte pjesë e Juventusin në humbjen e finales së vitit 2003 me Milanin pas gjuajtjes së penaltive së bashku me Buffonin dhe me Pavel Nedvedin.

Lothar Matthaus

Matthaus ishte shumë afër që të triumfonte në këtë garë në vitin 1999 me Bayern Munichun, para se të humbiste në finalen kundër Manchester Unitedit falë dy golave në minutat e fundit të “Djajve të Kuq”. Ai u tërhoq nga futbolli në vitin 2000, ndërsa Bayern Munichu triumfoi në këtë garë në edicionin pasues.

Fabio Cannavaro

Njëri prej mbrojtësve më të mirë të të gjitha kohërave, Cannavaro drejtoi Italinë drejt Kupës së Botës në vitin 2006. Gjithashtu ai fitoi edhe “Topin e Artë” në atë vit. Por, atij i mungon medalja e Ligës së Kampionëve, pavarësisht se është afruar me Interin dhe me Real Madridin, por jo edhe aq afër.

Philip Cocu

Ish-mbrojtësi i majtë Cocu sigurisht që mund ta kishte pasur vështirë të shikonte Barcelonën teksa dominonte në futbollin evropian gjatë dekadës së kaluar, pasi kishte kaluar gjashtë vjet te katalonjasit pa e shijuar triumfin në Ligën e Kampionëve. Holandezi bëri 79 paraqitje në këtë garë, por kishte arritur vetëm deri në gjysmëfinale të këtij kompeticioni.

Pavel Nedved

Pa dyshim sportisti më i madh i dalë nga Çekia, fituesi i “Topit të Artë” në vitin 2003, i është afruar titullit të Ligës së Kampionëve në vitin 2003, por u mposht në finale nga Milani.

Michael Ballack

Një tjetër yll që i mungon Liga e Kampionëve në kabinetin e tij. Ballack ishte njëri prej mesfushorëve qendrorë më të kompletuar në botën e futbollit. Humbi në finale të Ligës së Kampionëve me Chelsean ndaj Manchester Unitedit në vitin 2008 pas gjuajtjes së penaltive.

Cesc Fabregas

Fituesi i Kupës së Botës dhe njëri prej mesfushorëve i gjeneratës së sukseseve të Spanjës, Fabregas dukej se do të mundë të fitonte Ligën e Kampionëve pas rikthimit te Barcelona nga Arsenali në vitin 2011. Por, atë ia mohuan disfatat nga fazat eliminatore nga Chelsea, Bayern Munichu dhe Atletico Madridi.

Hernan Crespo

Prej të gjithë yjeve në këtë listë Crespo pa dyshim që i ka shkuar më së afërti triumfit në këtë kompeticion legjendar. Në njërën prej finaleve më të çmendura në histori, skuadra e tij Milani ishte duke fituar 3:0 në pjesën e parë, para se Liverpooli të kthehej në të dytën për ta barazuar rezultatin dhe për të triumfuar më pas falë gjuajtjeve të penaltive.

Ronaldo

E vështirë që të besohet, por brazilianit i mungon ky titull. Pavarësisht se ka luajtur për klube të mëdha si Interi, Barcelona, Real Madridi dhe Milani, dy herë fituesi i “Topit të Artë” dështoi që të triumfonte në Ligën e Kampionëve. Iu afrua më së shumti në vitin 2003, kur ndihmoi Real Madridin që të kualifikohej në gjysmëfinale para se të humbiste ndaj Juventusit.

Zlatan Ibrahimovic

36-vjeçari momentalisht mban rekordin për më së shumti paraqitje në Ligën e Kampionëve, por pa arritur dot ta fitojë këtë trofe. Edhe Interi, edhe Barcelona triumfuan në këtë kompeticion në edicionet pas largimit të suedezit./Zëri