Gjejnë motiv në humbje

Sport April 17, 2018 - 13:05

Bashkimi vlerësohet si njëri prej katër klubeve më të mëdha në basketbollin kosovar. Mirëpo qe 17 vjet nuk e ka fituar asnjë trofe. Vitet po kalojnë, shanset po ashtu, ndërkohë prizrenasit vazhdojnë “të agjërojnë”. Para pak kohësh “Portokallinjtë” e humbën finalen për Kupën e Kosovës, kurse të dielën e humbën edhe finalen për titull të kampionit në Ligën Ballkanike. Ata e vlerësojnë lart kualifikimin në finale të kësaj lige. Besojnë se të qenit nënkampionë të Ligës Ballkanike do t’i motivojë në luftën për titull të kampionit të Kosovës, shkruan sot, gazeta "Zëri"

Vitet po kalojnë, po ashtu edhe shanset për të fituar trofe. Por ato nuk po i shfrytëzon dot Bashkimi, i cili qe 17 vjet është në pritje të një trofeu të çmueshëm. Ishte viti 2001 kur ekipi prizrenas e kishte fituar trofeun e fundit. E kishte fituar Kupën e Kosovës, por nga atëherë prizrenasit janë në “agjërim” duke mos e shijuar asnjë kupë tjetër e aq më pak titull të kampionit.

Shanset i kishte, por nuk i shfrytëzoi dot. Pak më moti e ka humbur finalen e Kupës së Kosovës, kurse të dielën e humbi finalen për titull të kampionit në Ligën Ballkanike, të cilin trofe e fitoi Levski i Bullgarisë.

Kështu, “Portokallinjtë” duhet të presin ende për ta fituar ndonjë trofe. Një shans do ta kenë pas pak kur do të luftojnë në “Play-Off” për titullin e kampionit të Kosovës. Edhe pse e humbën luftën për titull të kampionit të Ligës Ballkanike, ekipi nga qyteti i lashtë kosovar e vlerëson si një sukses të madh kualifikimin në finale të Ligës Ballkanike në edicionin e tretë të pjesëmarrjes në këtë kompetecion.

Të qenit finalistë të Ligës Ballkanike prizrenasit thonë se do ta marrin si motiv shtesë për ta kërkuar titullin e kampionit të Kosovës.

“Mendoj se nuk kishim fuqi dhe energji të mjaftueshme për ta bërë një surprizë tjetër. Është shumë e vështirë t’i zhvillosh dy ndeshje të vështira brenda dy ditësh. Ne e kemi dhënë maksimumin dhe lojtarët meritojnë përgëzime për punën dhe paraqitjen e tyre e po ashtu për luftën që kanë bërë dhe për rezultatin që e kanë arritur”, ka deklaruar trajneri malazez i Bashkimit, Dragan Radoviç, puna e të cilit është lavdëruar edhe nga vetë Liga Ballkanike, shkruan "Zëri"

“Unë mund të them se jam i kënaqur me atë që e ka treguar ekipi në dy muajt e fundit si në lojëra, ashtu edhe në seanca stërvitore”, ka theksuar ai. 

Radoviç thotë se ekipi i tij nuk do të ndalet me humbjen e finales në Ligën Ballkanike. Përkundrazi, pohon se Bashkimi do ta tentojë titullin e kampionit të Kosovës. “Unë besoj se do të vazhdojmë të përmirësohemi deri në fund të sezonit në ligën e Kosovës dhe do të përpiqemi ta fitojmë titullin e kampionit”, është shprehur Radoviç, i cili në rrugëtim drejt finales së Ligës Ballkanike befasoi duke e eliminuar Rilskin, i cili ishte kandidat i madh për titull të kampionit.

Trajneri i Levskit, Konstantin Papazov, ka thënë se Bashkimi i ka bërë dhuratë ekipit të tij për faktin që ia ka shmangur një përballje në finale me Rilskin, përballë të cilit ekipi bullgar do ta kishte më problem sesa që e pati ndaj Bashkimit.

Ky ishte sezoni i tretë i Bashkimit në Ligën Ballkanike, duke arritur deri në finale. Ndërsa, në dy sezonet e mëparshme ishte eliminuar herët. Ky ishte kampionati i dhjetë i Ligës Ballkanike, apo ligës regjionale private, e cila nuk ka të bëjë thuajse asgjë me ligat tjera evropiane të niveleve më të larta. Në vend se të rritej, ky kompetecion kohëve të fundit veç çka ka pësuar rënien të madhe. Në edicionin e porsapërfunduar morën pjesë vetëm shtatë ekipe, por rënie të madhe ka pësuar edhe shikueshmëria.

Ky kompetecion garash pati filluar në vitin 2008. Liga Ballkanike ia kishte hapur dyert basketbollit kosovar në vitin 2013 me ç’rast klubet serbe ishin tërhequr. Pastaj gradualisht vazhduan të tërhiqeshin edhe klube tjera cilësore që vinin jo vetëm nga shtetet ballkanike, por edhe nga më larg. Pas katër edicionesh pjesëmarrje ishte tërhequr edhe Sigal Prishtina, e cila i kishte fituar dy tituj të kampionit. Përpos Sigal Prishtinës dhe Bashkimit, i cili sivjet ishte i vetmi nga Kosova në BIBL, më herët aty patën garuar edhe Peja e Trepça. /Zëri