Drita 'OK' në fushë, keq brenda

Sport April 17, 2018 - 12:30

Drita po shkëlqen në kampionat dhe me hapa të sigurt është bërë kandidatja më e madhe për titullin e kampionit, shkruan zeri.info

Madje, gjilanasit kanë thyer edhe rekord në futbollin kosovar duke i kaluar 23 ndeshje pa pësuar humbje. Mirëpo, jo gjithçka është perfekt.

Problemet e brendshme shpesh po dalin në sipërfaqe. Para disa ditësh kishte ndodhur një zënkë goxha e madhe ndërmjet dy lojtarëve të Dritës, Endrit Krasniqit dhe Fidan Gërbeshit.

Ndërsa, së fundmi një veprim i Astrit Fazliut e ka vënë në pikëpyetje situatën e brendshme. Në ndeshjen e fundit kundër Vllaznisë sulmuesi u nxor nga loja në minutat e fundit.

Ky vendim i trajnerit Bekim Isufi sikur nuk i pëlqeu Fazliut, i cili shkoi drejt në zhveshtore pa u përshëndetur as me lojtarët e as me trajnerin. Për këtë rast ishte pyetur Isufi pas ndeshjes, i cili ka theksuar se gjithçka është në rregull në skuadrën e tij.

“Astriti është profesionist dhe shkoi që të marr diçka për të veshur. Gjithçka është në rregull”, ka thënë Isufi.

Fazliu i ka shënuar vetëm dy gola pas 27 xhirosh të këtij kampionati./Zëri