Dështimi i Feronikelit

Sport April 17, 2018 - 12:17

Pas përfundimit të pjesës së parë të kampionatit një rokadë e madhe kishte ndodhur në Feronikel, ku ishte ndërruar e gjithë kryesia e klubit. Kjo ishte iniciuar nga Komuna e Drenasit, e cila ndërhyrjen e kishte arsyetuar me mungesën e rezultateve të skuadrës. Mirëpo, në pjesën e dytë të kampionatit Feronikeli me kryesinë e re vetëm se ka mbetur akoma më larg vendit të parë. Madje, ky ekip tani gjendet më afër zonës së barazhit sesa asaj që dërgon në Evropë. Feronikeli është i gjashti në Superligë me 41 pikë, 12 më pak sesa liderja Drita dhe është me vetëm 6 pikë larg zonës së barazhit, shkruan sot, gazeta "Zëri".

Kështu, ekipin e Drenasit nuk arriti ta mbajë në luftë për titull të kampionit as njëri prej trajnerëve më të mirë shqiptarë Sulejman Starova. Ky e ka marrë në dorë ekipin gjelbërebardhë qe tri javë dhe në të tria ndeshjet e fundit skuadra e tij i ka regjistruar tri barazime. Janë pikërisht barazimet ato që e kanë stagnuar Feronikelin, i cili përbëhet nga një fond cilësor i futbollistëve.

“Nikli” është ekipi që ka barazuar më së shumti në këtë kampionat. Gjithsej i ka regjistruar 14 barazime. Strategu i ardhur nga Shqipëria thotë se konkurrenca e madhe në Superligën kosovare dhe përafërsia në cilësi ndërmjet skuadrave janë faktorët që prodhojnë barazime të shumta.

“Barazimet e shpeshta që ndodhin në kampionatin kosovar janë fryt i konkurrencës së madhe në Superligë. Këtu nuk ka shumë dallim në cilësinë e skuadrave dhe kjo shihet me numrin epikëve të tyre”, ka thënë Starova, i cili në postin e trajnerit e ka zëvendësuar Ismet Munishin, i cili në Feronikel kishte shkuar për ta zëvendësuar Zekirija Ramadanin.

Ky ishte larguar bashkë me ish-kryesinë e cila edhe e kishte transferuar nga Trepça ’89, me të cilën Ramdani ishte shpallur kampion në Kosovë dhe kishte luajtur në kualifikime për Ligën e Kampionëve.

Feronikeli viteve të fundit ishte dominues në futbollin kosovar. Në vitet 2014 dhe 2015 i kishte fituar dy Kupa të Kosovës, kurse në vitet 2015 dhe 2016 i kishte fituar dy tituj të kampionit. Vlerësohej si shembull për klubet tjera.

Madje, në edicionin e kaluar ishte kandidat potencial për të dalë në gara evropiane për çka i kishte plotësuar të gjitha kriteret e licencimit. Mirëpo, licencimi edhe i Trepçës ’89, i Llapit dhe i FC Prishtinës e kishte lënë në “shtëpi”.

Për këtë Feronikeli kishte hyrë në “luftë” me FFK-në, të cilën e akuzonte se në mënyrë “kriminale” i kishte licencuar ’89-shin dhe Llapin, për të cilat klube Feronikeli insistonte se nuk i kishin plotësuar kriteret për licencim./Zëri