Historia e Besës, në rrezik

Sport April 17, 2018 - 12:05

Tre tituj të kampionit dhe dy Kupa të Kosovës që i ka fituar e bëjnë Besën klubin e dytë më të suksesshëm në Kosovën e pasluftës, pas Prishtinës. Ndërsa, fakti se është në mesin e tri klubeve që asnjëherë nuk kanë rënë nga Superliga – bashkë me Prishtinën dhe me Drenicën – e bëjnë edhe më të bujshëm historinë e këtij klubi, shkruan sot, gazeta "Zëri".

Mirëpo, kjo histori e madhe e pejanëve është vënë në rrezik të madh sivjet, kjo pasi Besa po e kalon sezonin më të vështirë. Është në rrezik serioz për të rënë nga Superliga. Besa gjendet në zonën e barazhit. Por jo vetëm kaq. Është e dhjeta në tabelë me 18 pikë, vetëm tri më shumë sesa Flamurtari, i cili po mundohet t’i ikë zonës që dërgon direkt në Ligën e Parë.

Nëntëmbëdhjetë humbje të pësuara në këtë kampionat krahas vetëm pesë fitoreve e tri barazimeve e kanë vënë Besën në pozicion mjaft të vështirë. Deri në fund të kampionatit ekipi kuqebardhë do t’i zhvillojë edhe gjashtë ndeshje, të cilat trajneri Valdet Shoshi i vlerëson si gjashtë “finale” për të ardhmen e ekipit të tij.

Shoshi prioritet e ka shmangien e zonës më të rrezikshme. Mbetja në barazh tashmë është e pranueshme për Besën, e cila në këtë mënyrë do të luftonte ndaj një klubi tjetër të Ligës së Parë për ta fituar statusin e anëtares së Superligës.

“Të gjitha ndeshjet në vazhdim për ne janë kualifikuese. Tani do të përballemi me rivalët e drejtpërdrejtë, Drenicën, Flamurtarin, Vllazninë, etj. Shpresojmë të marrim pikët e nevojshme për të siguruar barazhin”, ka shtuar Shoshi.

Siç dihet, Besa në edicionet e kaluara ishte kandidate për titull. Vjet ishte fituese e Kupës së Kosovës, por kriza e madhe financiare që e kaploi bëri që kampionatin e ri ta nisë pa yjet kryesore. Madje, ishte e çorganizuar totalisht deri pak para fillimit të pjesës së dytë të këtij edicioni./Zëri