Kush është vendas?!

Sport April 14, 2018 - 14:57

Në ndeshje të rëndësishme përparësia e terrenit ka rëndësi të veçantë. Lojë me peshë të madhe zhvillohet sot në Pejë ndërmjet Prishtinës dhe Besës. Të parës i duhen gjithsesi pikët në luftën për titull, kurse të dytës i duhet fitorja në luftën e saj për mbijetesë. Prishtinasit do të jenë vendas, por vetëm në letër. Kjo pasi vendas të vërtetë do të ndihen pejanët që luajnë në rolin e mysafirëve në stadiumin e qytetit të tyre. Ky është veç njëri prej rasteve të shumta që i tregon vuajtjet e bardhekaltërve, të cilët qe dy vjet kanë mbetur pa “kulm mbi kokë”, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Xhiroja e 27-të e Superligës së Kosovës në futboll përveçqë do t’i sjellë disa përballje tejet interesante do ta sjellë po ashtu edhe një situatë interesante. Ndeshja ndërmjet Prishtinës dhe Besës do të zhvillohet në Pejë. Prishtina luan në cilësinë e vendases. Por, në fakt mysafirët e saj, pejanët e Besës, do të jenë vendas të vërtetë. Madje kjo ndodh në një periudhë tepër të rëndësishme të kampionatit si për prishtinasit, ashtu edhe për pejanët. Kjo pasi ekipi bardhekaltër është duke luftuar për titull të kampionit, ndërsa të shtunën e pret sfidë shumë e vështirë, pasi do të luajë kundër Besës, së cilës i nevojiten shumë pikët në luftën e saj për mbijetesë. Në kushte normale, në një ndeshje me këso peshe, përparësia e terrenit do të kishte rëndësi të veçantë. Por kësaj radhe stadiumi “Shahin Haxhiislami” i Pejës më “Ok” do të jetë për mysafirët e Besës, që në fakt do të jenë vendas të vërtetë sesa për prishtinasit të cilët sot do të ndihen më mysafirë në “shtëpinë e vet”. Prishtinasit kanë pasur mundësi që si vendas takimin me Besën ta organizojnë në një tjetër terren. Por, meqenëse Besa ua ka mundësuar që të gjitha ndeshjet si vendase t’i zhvillojnë në stadiumin e vet bardhekaltrit në shenjë mirënjohjeje dhe korrektësie nuk kanë dashur të lëvizin as kësaj here nga ai vend. Të njëjtën gjë prishtinasit e kishin bërë edhe në pjesën e parë të kampionatit kur po luanin në stadiumin e Drenasit, të cilin nuk e kishin ndërruar fare ndonëse luanin si vendas ndaj Feronikelit që i ngjante një vendasi të vërtetë edhe pse në letër ishte mysafir.

Drejtuesit e klubit, trajnerët dhe futbollistët e pranojnë se janë lodhur qe dy vjet duke u endur poshtë e lart nëpër Kosovë në kërkim të fushave për të luajtur e të ushtruar pasi nuk e kanë asnjë të tillë në dispozicion në kryeqytet. Krahas vështirësive që po ua paraqet ky problem në rrugëtimin drejt titullit të kampionit dhe Kupës, bardhekaltrit ankohen se kjo po u kushton shtrenjtë edhe në buxhetin e tyre financiar. Por, ata shpresojnë që organet kompetente t’ua mundësojnë që së paku dy ndeshjet e fundit kampionale t’i zhvillojnë në stadiumin e Prishtinës, i cili është në renovim e sipër dhe si i tillë nuk paraqet problem për ndeshje kampionale vendore.

 

Javë e rëndësishme për shumë klube

 

Ndeshje e madhe do të zhvillohet të shtunën në Prizren, ku Liria do të takohet me Llapin. Ky i fundit ka ngelur me tetë pikë prapa kryesueses, Dritës. Andaj, llapjanët nuk shihen më si kandidatë të denjë. Rivale e fortë deri vonë është treguar Liria, e cila me disa gabime në javët e fundit ka mbetur shtatë pikë prapa lideres. Kështu, për prizrenasit ky takim konsiderohet “tren i fundit” për ta vazhduar luftën për titull. Të shtunën do të zhvillohet edhe një tjetër ndeshje e fortë në Skenderaj, ku Drenica kërkon pikë për t’i ikur barazhit, kurse Flamurtarit i duhet shumë fitorja në përpjekje për t’i ikur zonës që çon direkt në Ligën e Parë. Fitore për t’i ikur barazhit do të tentojë edhe Vëllaznimi të dielën si mysafir i Trepçës ’89, e cila e ka humbur hapin në luftën për titull. Kurse, Drita është favorite absolute në duel me Vllazninë, ekip ky që gjendet në vendin e fundit të Superligës, dhe ndaj të cilit Drita pret fitore për ta përforcuar pozicionin në krye të Superligës.

 

Superliga – Xhiroja e 27-të

E shtunë

Liria – Llapi

Prishtina – Besa

Drenica – Flamurtari

E diel

Trepça’89 – Vëllaznimi

Drita – Vllaznia

Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 15:00

Image