Rikthimet e çmendura në Ligën e Kampionëve

Sport April 13, 2018 - 17:11

Roma bëri mrekullinë të martën mbrëma duke u rikthyer nga një disavantazh prej tre golash ndaj Barcelonës dhe duke siguruar kualifikimin tutje në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Por, cilat janë rikthimet më të mëdha në kompeticionin më prestigjioz evropian për klube? Ne ua sjellim pesë prej tyre, shkruan sot, gazeta "Zëri".

1. Liverpool – Milan (Finalja/2005)

Në finalen e Ligës së Kampionëve të vitit 2005 Liverpooli arriti që të rikthehet prej një deficiti prej tre golave kundër Milanit, për të fituar më pas këtë trofe pas gjuajtjeve të penaltive. Në Stamboll Milani kaloi shpejt në avantazh pas golit të Paolo Maldinit, ndërsa i realizoi edhe dy të tjerë me anë të Hernan Crespos, duke e mbyllur pjesën e parë me rezultatin 3:0. Ky rezultat dukej i paarritshëm për anglezët, por gjithçka ndryshoi në pjesën e dytë. Steven Gerrard realizoi me kokë në fillim të pjesës së dytë, ndërsa më pas realizoi edhe Vladimir Smicer, dy minuta më vonë, para se rezultati të barazohej nga Xabi Alonso në minutën e 61-të. Ndeshja më pas shkoi në vazhdime dhe Liverpooli fitoi 3:2 pas gjuajtjes së penaltive.

2. Barcelona – PSG (E teta e finales/2017)

Asnjë skuadër nuk kishte arritur të rikthehej pas një disavantazhi prej katër golave në Ligën e Kampionëve derisa Barcelona tronditi Paris Saint-Germainin dhe të gjithë botën në edicionin e kaluar. Ndeshja e parë në Francë kishte prodhuar një rezultat katastrofal për katalonjasit, të cilët e kishin humbur takimin me rezultatin 4:0, shkruan "Zëri".

Duke hyrë në takimin e dytë Barcelonës i nevojiteshin pesë për të shkuar tutje në çerekfinale. Luis Suarez kaloi vendasit në epërsi, ndërsa katalonjasit arritën të realizonin edhe dy gola të tjerë deri në minutën e 50-të për të vënë në presion francezët. Parisienët u përgjigjën me një gol spektakolar nga Edinson Cavani, duke ia zbehur gjasat Barcelonës, të cilëve u nevojiteshin edh tre gola. Neymar realizoi nga një gjuajtje e lirë dhe pas dy minutash arriti të shënonte edhe një penalti, duke barazuar rezultatin e përgjithshëm në 5:5. Kulmi erdhi në minutën e 95-të, kur Sergi Roberto në mënyrë të pabesueshme shënoi golin e kualifikimit për të kompletuar kështu njërën prej ndeshjeve më të çmendura në histori të Ligës së Kampionëve.

3. Deportivo la Coruna – Milan (Çerekfinale/2004)

Milani kishte yjet më të mëdhenj botërorë gjatë vitit 2004, duke përfshirë Kakan, Andrea Pirlon, Paolo Maldinin, Cafun dhe Andriy Shevchenkon. Italianët fituan 4:1 në ndeshjen e parë çerekfinale dhe dukej se eliminimi për spanjollët ishte afër. Por, trajneri i Deportivo la Corunas, Javier Irueta kishte dhënë një deklaratë interesante para ndeshjes së dytë. “Mrekullitë ndodhin shpesh, gjëra që logjikisht nuk mund të priten”, kishte thënë ai.  Jashtë shtëpisë Milani u dorëzua shpejt përballë spanjollëve duke pësuar që në fillim nga Walter Pandiani. Juan Carlos Valreon realizoi me kokë dhe një goditje e mirë nga Albert Luque i dha spanjollëve epërsinë prej tre golave, rezultat me të cilin edhe vazhdonin tutje. Por ata nuk u ndalën me kaq dhe realizuan edhe një gol përmes Franit, duke ua dhënë tifozëve një fitore të jashtëzakonshme, shkruan "Zëri".

4. Roma – Barcelona (Çerekfinale/2018)

Barcelona i hyri ndeshjes së dytë ndaj Romës në një pozicion të rehatshëm. Katalonjasit nuk kishin humbur asnjë takim në ligën spanjolle dhe në Ligën e Kampionëve gjatë gjithë edicionit dhe nuk kishin pësuar në 18 ndeshjet e fundit. Spanjollët fituan 4:1 në “Camp Nou” dhe dukej se do të shkonin tutje në gjysmëfinale, por kështu nuk menduan romakët. Në ndeshjen e dytë Roma kaloi në epërsi qysh në minutën e 6-të përmes Edin Dzekos. Në pjesën e dytë Daniele de Rossi konvertoi në gol një penalti, ndërsa kualifikimin ia siguroi goli i Kostas Manolas.

5. Monaco – Real Madridi (Çerekfinale/2004)

Real Madridi triumfoi 4:2 në ndeshjen e parë në Spanjë dhe udhëtuan drejt Francës me një rezultat komod. Në ndeshjen e dytë Rauli shënoi për t’ua zbehur gjasat vendasve për një rikthim të mundshëm. Por goli i Ludovic Giuly pak para përfundimit të pjesës së parë e mbajti Monacon në lojë. Fernando Moriente, i cili ishte në huazim pikërisht nga Real Madridi, realizoi për 2:1, ndërsa në skenë doli përsëri Giuly, që ua siguroi kualifikimin francezëve falë golave të realizuar si mysafir./Zëri