(Pa)shpresa e Trepçës!

Sport April 13, 2018 - 11:07

Dikur luante kundër Real Zaragozës nga Spanja, kurse tani rrezikon të bjerë në kategorinë e tretë të futbollit kosovar. Fjala është për klubin e famshëm Trepça, e cila po i kalon kohët më të vështira në histori. Kjo ka bërë që në Mitrovicë kohëve të fundit të kërkohet largimi i kryesisë së klubit. Por, një gjë të tillë nuk e kanë ndërmend ta bëjnë drejtuesit e klubit, të cilët thonë se përkulen para tifozerisë, por jo edhe ndaj një grupi të zhurmshëm, të cilin kryesia e quan grup të interesit. Kryesia thotë se nuk po ndien kurrfarë presioni sepse është e zënë duke gjetur sponsorë, me ndihmën e të cilëve beson se sivjet do të mbijetojë në Ligën e Parë, kurse në sezonin e ardhshëm do të ngrihet lart në Superligë, shkruan sot, gazeta "Zëri"

Kur flitet për historinë e futbollit kosovar është krejt e natyrshme që mendja të shkojë kah Trepça. Një klub simbol i Mitrovicës dhe i futbollit kosovar. Një ish-finaliste e Kupës së ish-Jugosllavisë, e cila para viteve të ’80-ta luante edhe ndeshje evropiane, si kundër Real Zaragozës nga Spanja.

Fjala është për njërin prej klubeve më të respektuara në Kosovë, të cilin respekt viteve të fundit e humbi vetë Trepça shkaku i mungesës së financave dhe i organizimit, të cilat fillimisht ndikuan të bjerë nga Superliga. Kurse tani rrezikon të bjerë edhe nga Liga e Parë në kategorinë e tretë të futbollit kosovar.

Kjo për shkak se “Xehetarët” janë në vendin e 12-të të Ligës së Parë me vetëm 26 pikë të fituara prej 24 ndeshjeve të zhvilluara, duke i lënë pas vetes vetëm katër ekipe tjera. Mitrovicasit janë me vetëm tri pikë larg zonës me të keqe, asaj që dërgon në rangun e tretë garues, më të poshtmin në futbollin tonë, shkruan "Zëri".

Duke e parë rënien e madhe dhe të vazhdueshme të klubit gjelbërezi, gjendjen aktuale të tij, tifozë, ish-futbollistë e gazetarë apo analistë nga Mitrovica kohëve të fundit po i shfrytëzojnë rrjetet sociale për ta ngritur zërin publikisht ndaj gjendjes në të cilën ka ardhur ky klub. Ata thonë se Trepça ka nevojë jetike për të hyrë në një proces të ngritjes apo të rilindjes, të cilin proces e shohin të mundshëm të fillojë vetëm me largimin urgjent të kryesisë aktuale të klubit, së cilës i prin figura e njohur në futbollin tonë Nexhmedin Haxhiu.

Kontakti me presidentin shumëvjeçar të Trepçës ishte i pamundur. Por “Zëri” ka biseduar me nënkryetarin Avni Haxhiun.

Ky e pranon se gjendja aktuale e Trepçës nuk është e mirë. Por thotë se klubin në këtë gjendje e kanë sjellë grupe të interesit, të cilët tani po e nxisin një grup të vogël njerëzish që ta kërkojnë largimin e kryesisë.

“Ne përkulemi para tifozerisë sonë. Është pikërisht grupi ‘Torcida’ arsyeja pse vëllai im dhe unë qe 17 vjet e mbajmë Trepçën. Nuk ka qenë e lehtë. Po harrojnë sa kemi dhënë për këtë klub. Dhurata më e mirë për ne si kryesi do të ishte largimi, por pikërisht për shkak të tifozerisë ne vazhdojmë të qëndrojmë në klub”, deklaroi për “Zërin” Haxhiu.

“Ne përkulemi para tifozerisë mitrovicase. Ne e kuptojmë mirë dëshirën dhe dashurinë e tyre karshi klubit. Askush më mirë se ne që jemi brenda nuk klub nuk e kupton tifozerinë, e cila jeton dhe kërkon rezultate. Është një grup i vogël i njerëzve që e ka ngritur zërin ndaj nesh. Ne e dimë burimin. Burim i këtij grupi tifozësh janë pikërisht ata që ia kanë dhënë të mbrapshtën klubit, të cilët vazhdimisht kanë punuar në dëm të klubit”, u shpreh Haxhiu.

Ai thotë se kryesia nuk e ka ndërmend të largohet. “Ne nuk ndiejmë kurrfarë presioni. Ne përkulemi para tifozerisë sonë, por jo edhe ndaj një grupi të nxitur nga një burim të cilin e dinë se kush është krejt Mitrovica, mbase edhe krejt Kosova”, vazhdoi ai, shkruan "Zëri".

Haxhiu: Sivjet mbijetojmë në Ligën e Parë, në edicionin e ardhshëm kthehemi në Superligë

Njeriu numër 2 i Trepçës është i bindur se kjo skuadër sivjet do të arrijë të mbijetojë në Ligën e Parë, pavarësisht rrezikut që i është kanosur për të rënë në kategorinë e tretë. “Unë jam i bindur se sivjet do të mbesim në Ligën e Parë, kurse prej edicionit të ardhshëm nga xhiroja e parë do ta marrim primatin në këtë ligë dhe do të kthehemi në Superligë të fortë si asnjëherë më parë”, thotë Avni Haxhiu.

Ai thotë se Trepça së fundmi i ka angazhuar katër sponsorë seriozë, të cilët do t’i ndihmojnë drejt ngritjes. “Në këtë shtetin tonë neglizhenca po sjell dëme gjithandej. Ligji për Sponsorim është jetësuar, por Administrata Tatimore e Kosovës ende nuk ka nisur ta zbatojë. Po na thonë ‘nënshkruani ju kontratat me sponsorë sepse në ndërkohë ne do ta zbatojmë’. Si t’i bindim sponsorët kur ende nuk ka filluar zbatimi i lirimit nga tatimi?!”, thekson ai./Zëri