Kosovarët vërshojnë Spanjën

Sport April 12, 2018 - 10:23

Spanja mbetet një destinacion i paarritshëm për kosovarët për shkak se nuk e ka njohur Kosovën. Madridi zyrtar nuk ua njeh as dokumentet e udhëtimit e as nuk u jep viza. Mirëpo shteti spanjoll në qershor do ta presë një fluks të madh të kosovarëve, të cilëve është i detyruar t’ua hapë dyert për pjesëmarrje në Lojërat Mesdhetare që do të mbahen në Tarragona. Në Komitetin Olimpik të Kosovës tashmë kanë aplikuar rreth 80 sportistë që duan ta përfaqësojnë Kosovën në Katalonjë. Por vetëm rreth 40 prej tyre KOK-u do t’i çojë në Lojërat Mesdhetare, ku Kosova sheh gjasa të fitojë medalje në garën e përbërë prej 26 shteteve pjesëmarrëse, shkruan sot, gazeta "Zëri"

Spanja është njëra prej pesë shteteve të Bashkimit Evropian që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës e as dokumentet e udhëtimit të qytetarëve të saj. Pavarësisht kësaj, në qershor në shtetin spanjoll do të hyjë një numër shumë i madh i shtetasve kosovarë, të cilëve Spanja do t’ua hapë dyert për herë të parë.

Krejt kjo falë sportit. Në fakt, prej 22 qershorit deri më 1 korrik në Tarragona do të mbahen Lojërat Mesdhetare, në të cilat për herë të parë do të paraqitet edhe Kosova krahas 25 shteteve tjera. Për më tepër, drejt shtetit katalonjas do të udhëtojë një numër tejet i madh i sportistëve nga vendi ynë, për të cilin do të jetë rekord numri i madh reprezentuesve të vet që do të marrin pjesë në një ngjarje të madhe sportive ndërkombëtare, shkruan "Zëri".

Në Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK) tashmë kanë shkuar rreth 80 kërkesa të sportistëve kosovarë të interesuar për ta përfaqësuar shtetin tonë në Lojërat Mesdhetare që mbahen në Katalonjë. Këtë e ka konfirmuar për “Zërin” zëdhënësi i KOK-ut, Kushtrim Krasniqi. Janë 13 federata sportive kosovare ato që i janë drejtuar KOK-ut, ku i kanë nominuar sportistët e tyre për t’u paraqitur në Lojërat Mesdhetare.

Ky interesim i jashtëzakonshëm pritet t’i nxjerrë punë KOK-ut përmes të cilit ekipi kosovar do të shkojë në Spanjë. Sipas Krasniqit, prej 80 aplikuesve institucioni më i lartë sportiv do t’i selektojë rreth 30 garues – më të mirët nga ata që kanë aplikuar.

Sipas tij, në mesin e këtyre 80 aplikuesve janë edhe emrat më të njohur të sportit kosovar, përkatësisht sportistët elitarë, të njohur tashmë nga pjesëmarrjet e rregullta të tyre në gara ndërkombëtare në të cilat kanë fituar edhe medalje të rëndësishme, siç janë Nora Gjakova, Akil Gjakova, Distria Krasniqi nga xhudoja, Herolind Nishevci e Alvin Karaqi nga karateja, etj.

Krejt kjo i ka rritur shanset e Kosovës për të fituar medalje në Lojërat Mesdhetare. Xhudoja kosovare mbetet shpresa më e madhe për shkak se do të paraqitet me një numër të madh garuesish që tashmë janë bërë emra të njohur në xhudon botërore me medaljet e shumta të fituara në arenën ndërkombëtare. Përpos trajnerit Driton Kuka, pjesë e ekipit të xhudos pritet të jetë edhe Majlinda Kelmendi, e cila, siç mëson “Zëri”, në KOK ka aplikuar për të shkuar si trajnere.

Siç dihet, Spanja si organizatore e Lojërave Mesdhetare ishte vënë në pozitë të vështirë për shkak të Kosovës. Kjo për faktin se Madridi zyrtar nuk e ka njohur Republikën e Kosovës dhe nuk ishte i gatshëm t’i pranojë reprezentuesit tanë. Por pas intervenimit dhe insistimit të organizatave ndërkombëtare sportive spanjollët janë detyruar të lëshojnë pe dhe t’ua hapin dyert edhe reprezentuesve kosovarë. Këta të fundit në këtë shtet do të hyjnë me akreditime, pa dokumente udhëtimi dhe pa viza. E njëjta formë është vendosur të aplikohet për të gjithë garuesit e shteteve pjesëmarrëse, shkruan "Zëri".

Kjo do të jetë gara e katërt e madhe ndërkombëtare në të cilën do të paraqitet Kosova që prej anëtarësimit në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Njëherësh ky do të jetë edhe numri më i madh i sportistëve me të cilët do të prezantohet Kosova – minimumi 30. Në lojërat evropiane “Baku 2015” Kosova u pat paraqitur me 19 reprezentues. Në lojërat olimpike “Rio 2016” Kosova ka marrë pjesë me tetë garues. Në olimpiadën dimërore “PyeongChang 2018” shteti ynë është prezantuar me një garues. Kurse në lojërat mesdhetare “Tarragona 2018” Kosova do të garojë së paku me 30 sportistë./Zëri