Interesant - veç tabela!

Sport April 11, 2018 - 11:11

Drita dhe Prishtina në radhët e tyre kanë futbollistë shumë cilësorë e të dëshmuar dhe jorastësisht janë në luftë të rreptë për titullin e kampionit të Kosovës, por që e kanë një konkurrencë të respektueshme nga Liria. Gjilanasit po i prijnë Superligës me vetëm tri pikë më shumë sesa prishtinasit në një kampionat që po vlerësohet si më i forti dhe më interesanti në dhjetë vjetët e fundit, shkruan sot, gazeta "Zëri".

Deri më tani konkurrentë të fortë ishin edhe Llapi, Feronikeli, Trepça ’89 apo edhe Gjilani, të cilat tashmë nuk shihen si kandidatë të denjë kur kanë mbetur edhe shtatë xhiro deri në fund të kampionatit. Mirëpo, gara e fortë dhe interesante që po zhvillohet nuk ka prodhuar cilësi, e cila vazhdon t’i mungojë shumë futbollit kosovar.

Vitet po kalojnë kurse cilësia vazhdon të mungojë. Pavarësisht kësaj, kohëve të fundit është vërejtur pak rritje e interesimit të shikuesve, numri i të cilëve besohet të jetë shtuar nëpër stadiume, por që nuk po shikojnë dot lojëra të mira, gjë që assesi nuk po e bëjnë skuadrat elitare. Madje as ato më të dalluarat, siç bie fjala Prishtina, e cila të hënën luajti si mysafire e Flamurtarit në një fushë tejet të keqe dhe të papërshtatshme për lojë, në të cilën mezi i fitoi pikët e nevojshme për t’i qëndruar në distancë Dritës. Mirel Josa thotë se fitorja ishte kryesorja për skuadrën e tij.

Strategu shqiptar ua bënë me dije të gjithëve që të mos presin lojëra të bukura nga Prishtina e tij në terrene katastrofale dhe në një kampionat kur të gjitha ekipet tjera luftojnë veç për pikë, e për lojë të bukur as që duan të mendojnë. Andaj Josa thotë se edhe Prishtina e ka zgjedhur për ta ndjekur interesin kryesor të saj e që janë pikët.

“Mos prisni lojë të bukur, sepse çdo skuadër lufton për pikë. Çdo skuadër mundohet të mbrohet dhe të rrish në mbrojtje është shumë më e lehtë sesa të sulmosh. Të sulmosh në këto kushte të terrenit vetëm futbollistët dhe unë e di”, ka thënë Josa pas ndeshjes me Flamurtarin, ku terreni i keq Prishtinën nuk e la të bëjë diç më shumë sesa të dominojë në pronësi të topit dhe ta shënojë një fitore prej 2:0 thuajse prej dy shanseve të vetme sa i pati për 90 minuta lojë./Zëri