Sot vendoset e ardhmja e basketbollit

Sport April 05, 2018 - 11:47

E enjtja do të jetë tejet e rëndësishme për të ardhmen e basketbollit kosovar, shkruan sot gazeta Zëri.

Kjo pasi në Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) mbahen zgjedhjet për kryetar, nga e cila pozitë javë më parë dha dorëheqje Erolld Belegu shkaku i angazhimeve që i ka marrë në politikë si këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Belegu e ka lënë FBK-në duke u bërë thirrje të gjithë anëtarëve me të drejtë vote që t’i besojnë Bordit aktual për vazhdimësi dhe ta votojnë për kryetar Arben Fetahun, i cili ishte zëvendës i tij.

Mirëpo, në ndërkohë kritiku i njohur i Belegut Artan Rugova arriti ta kalojë një sfidë jo të lehtë, duke i siguruar nënshkrimet e nevojshme për kandidim.

Kështu basketbolli kosovar do të vendosë sot nëse dëshiron që në vitet në vijim të udhëhiqet nga nënkryetari i deritanishëm Arben Fetahu apo nga ish-nënkryetari Artan Rugova, të cilët kanë background sportiv si dy ish-basketbollistë të njohur që kanë luajtur edhe për Sigal Prishtinën, në të cilin klub kanë pasur edhe funksione udhëheqëse.

Rugova ka qenë një kohë edhe nënkryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës, institucionit më të lartë sportiv.

Nëse merren parasysh rrethanat përmes të cilëve janë kandiduar për kryetar Artan Rugova dhe Arben Fetahu, ky i fundit rezulton si një favorit për t’i fituar zgjedhjet e sotme.

Mirëpo përvoja dhe shkathtësia e Rugovës e lë të hapur çdo mundësi.

Rugova ka shprehur kritika për menaxhimin e deritanishëm të FBK-së nga Kryesia, së cilës i përket rivali i tij.

Ai thotë se basketbolli kosovar ka nevojë urgjente për ndryshime të mëdha, të cilat siguron se do t’i sjellë në rast se fiton.

Por shpreson që Kryesia e deritanishme të mos e ketë shfrytëzuar mundësinë për t’ia “montuar” humbjen atij dhe fitoren kundërkandidatit.

"Jam shumë optimist që, nëse do të ketë garë demokratike dhe të bazuar në aktet normative të FBK-së, unë do të jem fitues”, ka deklaruar Rugova.

Por, kundërkandidati i tij Arben Fetahu e sheh fitoren duke i buzëqeshur tashmë.

“Përkrahja masive që e kam marrë nga ekipet dhe nga shoqatat gjatë fazës së nominimit, si dhe gjatë takimeve e bisedave që i kam zhvilluar me shumicën prej anëtarëve të Federatës dhe me njerëz të basketbollit që nuk janë pjesë e zhvillimeve në basketboll aktualisht më bëjnë të besoj se Kuvendi i FBK-së do të ma besojë udhëheqjen e Federatës, sepse besoj që janë të bindur se këtë detyrë do ta kryej me shumë përkushtim dhe vullnet, në mënyrë tejet parimore dhe gjithnjë në këshillim me ta”, ka thënë Fetahu. /Zëri/