Trepça e mjerimit!

Sport April 03, 2018 - 12:20

Klubi i futbollit Trepça dikur ishte sinonim i futbollit kosovar, i madh e i vogël mburreshin me të.

Krahas FC Prishtinës, ishte klubi i vetëm nga Kosova që kishte luajtur në Ligën e Parë të Jugosllavisë së atëhershme, duke shkuar madje deri në finale të Kupës së këtij ish-shteti dhe njihet si njëri prej klubeve më të mëdhenj të futbollit kosovar.

E kishte mundur Dinamo Zagrebin, Velezhin e Mostarit, Vojvodinën e Novi Sadit dhe kishte barazuar me Partizanin e Beogradit.

Mirëpo, klubi gjelbërezi sot është në gjendje të mjerueshme, është bërë për t’u vajtuar.

Pas luftës e pati një periudhë të lavdishme, kur edhe u shpall kampion i Kosovës. Por, viteve të fundit e ka marrë tatëpjetën dhe nuk po mund ta ngresh më kokën assesi lart.

“Xehetarët” i ka kapluar një krizë e thellë financiare. Ata mezi po mbijetojnë dhe këtë sezon e rrezikojnë më të keqën.

Fundjavën që shkoi mitrovicasit e pësuan njërën prej goditjeve më të mëdha, duke u mposhtur nga klubi i fshatit Koretin, Bashkimi.

Ky fakt e ka revoltuar tej mase “Torcidën” dhe qytetarët e Mitrovicës, të cilëve u ka humbur durimi dhe e konsiderojnë të papranueshme situatën në klub dhe humbjen e fundit turpëruese.

Trepça planifikonte të rikthehet sa më shpejt në Superligë, aty ku edhe e ka vendin.

Mirëpo, fondi i varfër i lojtarëve, kriza financiare dhe problemet e tjera kanë bërë që ky klub të ketë paraqitje të zbehta këtë edicion, të cilat kanë reflektuar edhe me rezultate dëshpëruese.

Humbja në shtëpi nga Bashkimi fundjavën që shkoi e ka zbritur Trepçën në pozitën e 12-të me vetëm 26 pikë të grumbulluara, vetëm tri pikë më shumë se i parafundit në tabelë, Hajvalia, duke rrezikuar kështu seriozisht të bjerë nga Liga e Parë në Ligën e Dytë, respektivisht në kategorinë e tretë të futbollit kosovar.

Është gjithsesi për të të ardhur keq që një klub aq i madh, i cili e ka stadiumin më të mirë në Kosovë për momentin, atë “Adem Jashari”, ka përfunduar në këtë gjendje.

“Torcida” shprehet e indinjuar thellë me këtë situatë dhe ka paralajmëruar se nuk do të rrijë duarkryq, duke ndërmarrë masa në mënyrë që të përmirësohet gjendja e klubit. /Zëri/