EHF-ja ndalon takimet Kosovë - Serbi

Sport April 02, 2018 - 14:58
Ajo çka ka ndodhur para një jave në hendbollin evropian, ku realiteti i keq në mes të Kosovës dhe Serbisë doli në sipërfaqe, më nuk do të përsëritet. Kjo pasi Federata Evropiane e Hendbollit e ka fuqizuar një vendim, me të cilin i eviton përballjet e mundshme në mes të Kosovës dhe Serbisë e po ashtu i pamundëson edhe takimet ndërmjet klubeve të të dyja shteteve. Për Prishtinën zyrtare ky vendim i EHF-së nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë, por Beogradit zyrtar ia ka hequr një siklet të madh, madje udhëheqësit e hendbollit serb e kanë parë një ëndërr “me sy çel”. Ata e kanë ftuar hendbollin kosovar që t’i bashkohet për t’u bërë bashkërisht më të fortë në arenën ndërkombëtare

Kosovarët dhe serbët vështirë se do të takohen më në gara evropiane të hendbollit, shkruan sot gazeta Zëri.

Rasti që ndodhi para një jave në afërsi të Beogradit, ku dështoi turneu kualifikues për Botërorin e Juniorëve në konkurrencën e femrave shkaku i raporteve të brishta në mes të Kosovës dhe Serbisë, vështirë se do të përsëritet më.

Një gjë të tillë nuk do të lejojë të ndodhë as Federata Evropiane e Hendbollit (EHF), e cila e ka fuqizuar një vendim, i cili e parandalon çdo përballje të mundshme në mes klubeve dhe përfaqësueseve të Kosovës dhe Serbisë.

Kjo konfirmohet nga të dyja federatat – e Kosovës dhe ajo e Serbisë.

Në Federatën e Hendbollit të Kosovës (FHK) thonë se ky vendim është marrë në EHF qysh në muajin janar.

Kurse, në Federatën e Hendbollit të Serbisë (RSS) pohojnë se kjo ka qenë kërkesë e saj, e mbështetur nga EHF-ja, pas rastit të ndodhur së fundmi në turneun kualifikues për Botërorin e Juniorëve, të cilin Serbia dështoi ta menaxhojë, me ç’rast u përjashtua prej tij dhe tani është në pritje të dënimeve të tjera nga EHF-ja.

“Federata e Hendbollit e Serbisë e ka arritur një marrëveshje me krerët e EHF-së në mënyrë që një kombëtare apo klub i Serbisë të mos luajë më me ekipet nga Kosova. Kjo bëhet me qëllim që të mos përsëritet më ajo që ndodhi dhjetë ditë më parë”, ka deklaruar për mediet serbe nënkryetari i RSS-së, Dragan Skribiç.

Por sekretari i përgjithshëm i FHK-së, Izet Gjinovci, thotë se ky vendim nuk buron nga ideja e Beogradit, por është marrë qysh më herët.

“Këtë çka e thonë në Serbi nuk është diçka e re. Qysh më 25 dhe 26 janar në Zagreb është mbajtur mbledhja e Komitetit Ekzekutiv i EHF-së, ku është vendosur për evitimin e përballjeve në mes të Kosovës dhe Serbisë e po ashtu në mes të Maqedonisë e Greqisë”, deklaroi Gjinovci për “Zërin”.

Derisa për FHK-në kjo nuk çon fort peshë, RSS-ja e vlerëson këtë vendim të EHF-së pasi gjithnjë u frikësohej përballjeve me Kosovën, gjë që e vinte në mes dy zjarresh.

Në njërën anë hezitonte të luante sepse kjo në mënyrë indirekte nënkuptohej si njohje e Kosovës nga Serbia, në anën tjetër rrezikonte të dënohej nga EHF-ja në rast refuzimi për t’i takuar kosovarët, takim që në asnjë formë nuk e donte as qeveria e Serbisë.

“Unë mendoj se kjo është e vetmja mënyrë e drejtë për t’i shmangur situatat e palakmuara dhe të frikshme. Ngjashëm duhet të ndodhë edhe në sportet tjera. Kjo i eviton tensionet dhe të gjithë do të ishim në gjendje të mendonim vetëm për sportin, gjë që në fund të fundit është puna jonë e jo të mendojmë për çështje tjera”, ka theksuar Skribiç.

Image

Serbia pret mëshirë nga EHF-ja, Kosova eliminohet në tavolinë

Dragan Skribiç ka thënë se Serbia ka bërë gjithçka për ta menaxhuar siç duhet turneun e dështuar kualifikues për Botërorin e Juniorëve.

Sipas tij, RSS-ja ka qenë vazhdimisht në konsultim me qeverinë Serbe. Por nënkryetari i RSS-së ka theksuar se anulimi i turneut ishte zgjedhja më e mirë për t’i evituar trazirat e mundshme.

Ai shpreson që EHF-ja t’i ketë parasysh rrethanat dhe të mos i shqiptojë dënime të rënda RSS-së, të cilat pritet t’i bëjë të ditura në ditët në vazhdim.

Ndërsa burimet e “Zërit” e kanë bërë të ditur epilogun përfundimtar të turneut që ka mbetur në gjysmë.

Serbia është diskualifikuar, kurse nga ky grup është kualifikuar Norvegjia përmes fitores ndaj Sllovakisë, të cilat nuk do të kenë nevojë të luajnë fare me Kosovën, e cila garën e mbylli pa e luajtur asnjë lojë, por me plot krenari që u bë sebep në diskualifikimin e Serbisë.

Serbia sheh ëndërr “me sy çelë”, e fton Kosovën t’i bashkohet

Federata e Hendbollit Serb (RSS) e ka pa një ëndërr “me sy çelë”.

Nënkryetari i saj, Dragan Skribiç, thotë se nuk po e kupton Kosovën se pse nuk po i bashkohet hendbollit serb për t’u bërë bashkërisht më të fortë në hendbollin evropian.

Kështu, për t’i hyrë në qejf qeverisë serbe ai e mohon ekzistencën e shtetësisë së Kosovës.

“Kosova dhe Vojvodina nuk duan të jenë pjesë jona dhe nuk e di pse. Unë mendoj se duhet të bashkohemi për ta ngritur hendbollin serb. Jam i gatshëm të bashkëpunoj me të gjithë, jemi të hapur e jo të mbyllur”, ka deklaruar ai. /Zëri/