Dorëzohet Spanja, Katalonja mirëpret Kosovën

Sport March 30, 2018 - 12:26

Politika vazhdon t’i shkaktojë probleme sportit kosovar edhe 10 vjet pas pavarësisë së shtetit.

Sportistët kosovarë po hasin në probleme për t’u pajisur me viza, sidomos në shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e vendit tonë.

Me një problem të tillë sportistët e këtushëm u përballën edhe para Lojërave Mesdhetare, pasi Spanja, si organizatore, shtet që nuk e njeh Kosovën, fillimisht kishte refuzuar t’i pajiste me viza sportistët tanë.

Mirëpo me presionin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe të institucioneve tjera ndërkombëtare sportive qeveria spanjolle më në fund lëshoi pe pasi rrezikonte ta humbiste organizimin e këtij evenimenti prestigjioz, i cili do të mbahet nga 22 qershori deri më 1 korrik 2018.

Tash Katalonja, përmes gazetës sportive të saj “L’Esportiu” ia ka kushtuar një shkrim special Kosovës.

“Mirë se vini!” ka shkruar kjo e përditshme në ballinën e saj, e cila i uron mirëseardhje ekipit të Kosovës në evenimentin që do të mbahet gjatë verës në Tarragona të Spanjës.

“Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KON) e ka obliguar qeverinë spanjolle që të mos e pengojë pjesëmarrjen e Kosovës në Lojërat Mesdhetare në Tarragona, edhe pse Madridi zyrtar nuk e njeh Kosovën si shtet”, shkruan në nëntitullin e gazetës.

“Kur Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare pranoi Komitetin Olimpik të Kosovës, Kosova u ndesh me pengesa burokratike nga qeveria spanjolle, por një ankesë e drejtorit të përgjithshëm të KON-it, katalonjasit Pere Miro, përfundimisht e detyroi qeverinë e Spanjës ta zhbllokojë situatën kundër vullnetit të saj, pasi Kosova, një vend i pavarur, përveç mosnjohjes, nuk është e mirëpritur në Spanjë”, shkruan më tej “L’Esportiu” në artikullin e saj, ku ka vënë edhe një foto të ekipit kombëtar të Kosovës në futboll.

Gazeta përmend edhe konfliktin Kosovë – Serbi dhe rastin e fundit me Kombëtaren U-20 të hendbollit, konkurrenca e femrave, për shkak të së cilës Serbia u përjashtua nga kualifikimet, pasi qeveria e këtij vendi nuk lejoi përballjen Serbi – Kosovë të ndodhë në territorin e tyre.

Po ashtu ata nuk lejuan Kosovën t’i zhvillojë ndeshjet tjera në Serbi.

Ekipi i Kosovës për herë të parë do të marrë pjesë në Lojërat Mesdhetare pas pranimit të KOK-ut në Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG).

Një tjetër eveniment i njohur sportiv do të mbahet gjatë verës në La Coruna, respektivisht Evropiani i Juniorëve dhe U-23 në Peshëngritje.

Edhe në këtë rast problem do të jetë Kosova.

Mirëpo, Federata Evropiane e Peshëngritjes e ka kërcënuar Spanjën se do t’ia mohojë organizimin e këtij evenimenti nëse nuk i lejon peshëngritësit kosovarë të marrin pjesë në të. /Zëri/