Ekstradimi në Itali, ja lajmi i fundit nga Ballisti

Sport March 29, 2018 - 16:32

Ismail Morina, i ashtuquajturi “Ballisti”, duket se ka gjetur mënyrën për të shpëtuar nga ekstradimi në Beograd, ku akuzohet për nxitje urrejtje mes popujve.

Sipas “Top Channel”, Ismail Morina është transferuar ditën e djeshme drejt një burgu në Itali, ku do të vazhdojë gjykimin për të fituar lirinë.

Duket se avokati i tij ka mundur të gjejë këtë zgjidhje, duke hedhur poshtë kërkesën për azil në Kroaci, që ishte opsioni i parë për të shpëtuar nga ekstradimi në Serbi.

Italia është vendi ku Ismail Morina është rezident prej shumë vitesh, së bashku me familjen e tij, në mënyrë të ligjshme, duke qenë se edhe bashkëshortja e tij është italiane.

Ai qëndronte në burgun e Zagrebit që prej 10 qershorit të vitit 2017, kur policia kroate në fillim zbatoi një kërkesë të shtetit serb, i cili kishte nxjerrë një urdhërarresti ndërkombëtar për ndalimin e “Ballist” Morinës, por pas disa seancash gjyqësore drejtësia kroate rezistoi, duke mos plotësuar kërkesën e drejtësisë serbe për gjykimin e Ismail Morinës në Beograd.

Me transferimin e tij në Itali, duket se edhe lirimi përfundimtar për të është shumë pranë.